TIRANË, 15 qershor/ATSH/Rritja e numrit të të infektuarve është parashikuar më herët nga Komiteti Teknik i Ekspertëve që kur u hartua edhe strategjia e rihapjes.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve njëherazi zv.ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli tha gjatë një interviste televizive se shifrat e fundit të të prekurve me koronavirus nuk rrezikojnë kolapsin e sistemit shëndetësor megjithatë ajo apeloi për respektimin e masave rregullave dhe protokollit të sigurisë nga qytetarët dhe bizneset.
“Që kur u bë strategjia e rihapjes ishte parashikuar që do ndodhte një numër i shtuar rasteve. Dihet që hapja shoqërohet me daljen e njerëzve, me kontakte më të gjata midis njerëzve dhe është normale që në çdo strategji hapje të rriten numrat. Që të mos rriten numrat shumë, kjo strategji hapjeje duhej të shoqërohej me masa të kujdesshme se si duhej që të ruheshin njerëzit, dhe në fakt u bënë protokolle të kujdesshme për çdo aktivitet. Rendësi të veçantë të protokolleve merrte përdormi i maskave. Prandaj, nëse këto masa zbatohen ashtu siç janë zbatuar, është parashikuar që mos të ketë numra të frikshëm. Pra, mos të këtë numra që të detyrojnë sistemin shëndetësor të mos bjerë në kolaps. Deri tani pavarësisht se numrat janë në rritje të ndjeshëm, jemi në numra të pritshëm”, tha ajo.
Rakacolli bëri të ditur se në spitalin Infektiv në QSUT, aktualisht janë të shtruar 47 pacientë, ku 7 prej tyre janë në terapi intensive.
“Sot që po flasim numri i të shtruarve ka shkuar në 47. Ka të sëmurë më të rëndë se sa në momentin kur u hap. Sot që po flasim 7 veta në shërbim intensiv, nga të cilët 1 i intubuar, por janë të gjithë numra të pritshëm, pra nuk janë në ato numra që rrezikojnë kolapsin. Nëse ne do të vazhdojmë të mos respektojmë masat, këto gjëra mund të ndryshojnë. Ne jemi duke hetuar me kujdes rastet. Konkluzioni është se në përgjithësi nuk janë respektuar masat”, tha Rakacolli.
Më tej, ajo theksoi se në QSUT ka infeksion, por jo vatër të madhe. “QSUT ka 57 shërbime, ku ofrohet kujdesja. Ky infeksion ka qenë problem, në mjekësinë interne dhe në hematologji. Shfaqja e infeksionit në spital është një gjë e pashmangshme dhe ky është fenomen mbarëbotëror. Mjekët i kanë të gjitha mjetet. Janë rreth 150 veta të prekur. Nuk kemi pasur asnjë humbje jetë në stafin mjekësor. Mjekët shpenzojnë kohë në një ambient virusal dhe kjo është arsyeja pse preken”, tha zv.ministrja.
Lidhur me testet serologjike, zv.ministrja e Shëndetësisë tha se janë bërë rreth 5000 teste ku stafi mjekësor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka rezultuar me pozitivitet 7% ndërsa aktualisht ky proces po shtrihet tek punonjësit e shërbimit.
“Teste serologjike janë teste që po bëhen. Vlera e tyre është mjaft e debatushme, që nga lloji i testit dhe koha që merret. Është një eksperiencë që po provohet. Janë bërë rreth 5000 teste, ka mbaruar stafi i QSUT me pozitivitet 7% dhe po shtrihet në punonjësit e shërbimit. Me thënë të drejtën, me ato që vëmë re në jetën e përditshme, duke parë këtë lloj qasje të njerëzve që kujtojnë se virusi nuk është dhe nuk i përdorin mjetet që i përdorën në fillim, mund të ketë shtim numrash, por nuk e besoj që të ketë tej numrave të parashikuar”, shtoi ajo.
Krahas rasteve të shtuara, Rakacoilli u shpreh se nuk do të ketë sërish mbyllje të aktiviteteve. “Nuk e besoj. Me këto numra nuk e besoj. Situata është e kontrolluar dhe sistemi shëndetësor është në këmbë”, tha Rakacolli.
ATSH