TIRANË, 13 shkurt/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ne jemi i vetmi vend në rajon dhe Europë që kemi zero taksa për biznesin e vogël. Nëse ti do të hapësh një zyrë biznes të vogël për të ofruar shërbimet e tua, ti e ke taksën zero dhe e ke TVSH zero, më ulët se kaq nuk ka asgjëkundi”.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë të Tiranës, Rama tha se “për ne është shumë e rëndësishme të stimulojmë maksimalisht individët, qoftë në sektorin publik qoftë në sektorin privat dhe biznesin e vogël. Stimulimi i punës së individit është patjetër A-ja që sjell biznesi i vogël sepse është një motorr punësimi dhe vetëpunësimi”.
Ai tha se “kemi qenë shumë të inkurajuar që biznesi i vogël në të kundërt nga çfarë thuhet dhe propagandohet, vetëm rritet në numër. Sigurisht që ka biznese të vogla që mbyllen, por ka më shumë biznese të vogla që hapen. Ky është sistemi që kemi zgjedhur. Nuk ka një mënyrë për të mos u mbyllur asnjë biznes asnjë herë”.
Rama tha se “jemi duke finalizuar vizionin e 2030-ës dhe Planin e Veprimit për 2021-2025, por ne duam që të bëjmë dy ndërhyrje tek kontributet nga puna e individëve, tek të ardhurat që i kalojnë shtetit. Një ndërhyrje është që të rrisim në 1 janar të 2023 fashën e patatueshme nga paga. Sot deri në 300 mijë lekë nuk taksohesh, pastaj më lart fillon taksimi, ta bëjmë të pa taksueshme 400 mijë lekëshin dhe taksimi mbi pagën të fillojë mbi 400 mijë lekë, dhe të shtrijmë në 1 janar të 2022 më lart fashën e atyre që marrin deri në 2 milionë nga rroga duke e çuar përtej 2 milionëshit fillimin e numërimit me 23%”.
Duke u ndalur te taksimi prej 23%, Rama sqaroi se “23% i tatimit nuk është 23% e pagës të të gjithë shumës, por që fillon nga 300 mijë lekëshi. Nëse ti merr sot 2 milionë, 23% nuk është 23% i 2 milionëshit, por është 23% që nga 300 mijë deri te 2 milionëshi. Që do të thotë se është shumë më pak se sa pretendohet, por ne duam ta rrisim”.
“Sigurisht duam të rrisim pagën minimale, dhe faktikisht pagën minimale e kemi fiksuar në 300 mijë, por është më shumë më se ç’ishte sepse para 7 vjetësh e kishim 230 mijë, por është shumë më pak se ç’duhet të jetë”, u shpreh ai.
Tek biznesi i madh ne nuk do të ndryshojmë do të jetë 15%, theksoi Rama duke shtuar se “për ne taksa e sheshtë është taksa e favorizimit të të pasurve dhe e goditjes së më të varfërve”.
“Me taksë e sheshtë 9% brenda një mandati vetëm nga ulja e taksës, janë afro 350 milionë euro që nuk i marrim dot më për shkollat, kopshtet, çerdhet e spitalet sepse do të rrijnë në xhepat e “oligarkëve”. Janë gati 50-60 milionë euro në varësi se si do rritet ekonomia se si do rritet biznesi, që faktikisht ikin”, tha Rama.
“Çdo kush që ka një rrogë sot nën 1.6 milionë do të paguajë më shumë se ç’paguan, nga rroga, ndërkohë ne duam që këtu të ndërhyjmë përsëri dhe të lehtësojmë përsëri”, deklaroi Rama.