Zv.kryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj deklaroi sot se “projektbuxheti i vitit 2022 ofron 20 miliardë lekë për rindërtimin dhe shpenzimet buxhetore do të mbështesin në nivel të lartë investimet publike dhe përfundimin e programit të rindërtimit”.

Në një seancë dëgjimore mbi buxhetin 2022 në komisionin për Ekonominë dhe Financat, Ahmetaj tha se “shpenzimet buxhetore për periudhën 2022-2024 do të mbështesin në nivel të lartë investimet publike, duke u përqendruar te rindërtimi dhe financimi i projekteve të rëndësishme strategjike”.

Duke bërë një raportim të detajuar mbi procesin e rindërtimit, Ahmetaj theksoi se “fondi i alokuar në buxhetin 2020 ka qenë 28 miliardë lekë, dhe fondi i disbursuar ka qenë 18.1 miliardë lekë”.

“Rreth 17.48 miliardë lekë janë shpenzime të qeverisjes vendore dhe 0.62 miliardë lekë janë përdorur për qeverisjen qendrore. Ne kemi përdorur si njësi zbatimi për njësinë e Tiranës bashkinë Tiranë ndërsa për 10 bashkitë e tjera ka qenë Fondi Shqiptar i Zhvillimit”, tha Ahmetaj.

Po ashtu, zv.kryeministri theksoi se “9.9 miliardë lekë janë trashëguar për vitin 2021, nga të cilat 6.5 miliardë lekë janë për projekte të qeverisjes vendore dhe 3.35 miliardë lekë janë për projekte të qeverisjes qendrore”.

“Buxheti për vitin 2021 ka 28 miliardë lekë. Deri më sot me vendime të Këshillit të Ministrave janë alokuar 25.5 miliardë lekë dhe janë disbursuar janë 21.8 miliardë lekë”, tha ai.

Ahmetaj siguroi se “edhe viti 2022 do të jetë vazhdimi asaj që kemi nisur për përmbylljen e këtij procesi, por pa lënë mënjanë mbështetjen e sektorëve kyç, si infrastruktura, shëndetësia, arsimi, bujqësia e të tjerë”.

Zv.kryeministri tha se “buxheti 2022 synon financimin e përfundimit të programeve për  grantet e rikonstruksionit, riforcime të banesave kolektive, përfundimi i ndërtimit të njësive individuale të banimit dhe banesave kolektive, zhvillimin e zonave të reja, zhvillimi i infrastrukturës publike dhe kritike brenda zonave të reja, objekte arsimore dhe institucione publike”.

“Dhe në vitin 2022 do të ketë përparësi financimi i granteve për individët dhe familjet dhe projektet e reja të pafinancuara për finalizimin e programit të rindërtimit”, tha Ahmetaj.

Ai informoi se “në dhjetor 2019 ishin mbi 11 mijë familje të akomoduara në çadra dhe struktura hoteliere, ndërsa sot janë 177 familje ende në çadra që janë dhe përfitues të bonusit të qirasë, por janë në çadra apo kontejnerë për shkak të tokës dhe bujqësisë”.

“Sot janë 15 mijë familje që marrin bonus qiraje dhe do të marrin bonus derisa të hyjnë në banesat e reja. Aktualisht janë shpallur 49 mijë përfitues nga programet e rindërtimit, brenda programit total të rindërtimit”, tha ai.

Po ashtu, Ahmetaj shtoi se “kemi përthithur 100 % grantet e donatorëve dhe janë në negocim huatë e buta”.