Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi deklaroi sot se projekti “Shkolla Qendër Komunitare” që prej vitit 2013 ka forcuar vit pas viti rolin dhe objektivin e saj të hapjes ndaj komunitetit.

Në konferencën e sotme kombëtare, organizuar nga IDM Albania dhe me praninë e Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, ministrja Kushi  nënvizoi faktin se këto shkolla model janë shndërruar tashmë në hapësira që ndihmojnë për të ofruar arsim më cilësor e mirëqenie sociale për çdo nxënës.

Aktualisht, ajo tha se “janë plot 270 “shkolla qendra komunitare” në të gjithë vendin, ku jo vetëm i shërbehet komunitetit nëpërmjet organizimeve të ndryshme, por edhe anasjelltas, komuniteti është shndërruar në një partner të rëndësishëm që e mbështet shkollën në të gjitha aktivitetet e saj.