580 subjekte dhe 2827 punëkërkues kanë përfituar mbështetje përmes programeve për nxitjen e punësimit në 6-mujorin e parë të këtij viti.

Kjo u bë e ditur nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj e cila mblodhi sot Këshillin Konsultativ për Punësimin, ku u diskutua mbi ecurinë e politikave që po zbatohen për nxitjen e punësimit dhe aftësimit profesional.

Sipas Denaj, 570 milionë lekë janë parashikuar në buxhetin e shtetit për vitin 2021, për programet e nxitjes së punësimit.

“580 subjekte dhe 2827 punëkërkues kanë përfituar mbështetje përmes këtyre programeve në 6-mujorin e parë të këtij viti. 3706 aplikime për kurset e aftësimit profesional kanë përfunduar, një shërbim që ofrohet online përmes platformës e-Albania”, bëri të ditur ajo.

Programet e nxitjes së punësimit janë hartuar si pjesë e paketave mbështetëse të qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të shkaktuar nga pandemia. Qëllimi i tyre është riintegrimi i shpejtë në tregun e punës i punëkërkuesve, që kanë dalë të papunë si pasojë e COVID-19, duke shmangur mbështetjet e tyre përmes skemave pasive të mbështetjes, siç është pagesa e papunësisë apo ndihma ekonomike. Gjithashtu, nëpërmjet financimit të pagës dhe kontributeve të detyrueshme shoqërore, programet nxitin krijimin e vendeve të punës dhe mbështesin kompanitë në procesin e rimëkëmbjes.