Një ngjarje e rendë ka ndodhur në plazhin e Velipojës. Katër persona kanë mbetur të vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur. Ngjarja është shënuar pas mesnatës rreth orës 01:30 të 27 qershorit. Dyshohet se konflikti ka nisur për hapesirat publike në plazh.
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tronditëse që u shënua mbrëmjen e djeshme në Shkodër, ku kanë mbetur të vrarë katër persona dhe janë plagosur dy të tjerë.
Bëhet me dije se debati ka nisur mes Kujtim Ferracakut, pronar i restorant “Fantazia” dhe pronarëve të hotelit “Gocaj”. Burime për media bëjnë me dije se sherri ka nisur për shezlongët në plazhin e Velipojës, raporton newsbomb.al.
Si fillim debati ka nisur me fjalë dhe më pas ka degjeneruar në përdorimin e armëve nga të dy palët. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të vrarë Kujtim Ferracaku 59 vjeç, vëllezërit, Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç, ky i fundit punonjës i shezlongeve.
Ndërsa të plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku 54 vjeç dhe Elmedin Tyli 17 vjeç, raportohet se 54 vjeçari është në gjendje kritike për jetën.
Policia ka sekuestruar pamjet filmike dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike.
Njoftimi i policise
Velipojë/Shkodër
Informacion paraprak
Më datë 27.06.2021, rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, si pasojë e një konflikti të çastit, i cili është përshkallëzuar në përdorim të armës së zjarrit kanë mbetur të vrarë, shtetasit K. V. 59 vjeç, Xh. G. 25 vjeç , E. G. 38 vjeç dhe M. Z. 20 vjeç.
Si dhe janë plagosur shtetasit H. V. 54 vjeç, dhe E. D. 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirê në konfliktin e armatosur.
Për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur një grup posaçëm hetimor me specialistë të strukturave hetimore në DVP Shkodër dhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Jetës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale Renea.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj ngjarjeje.

























