Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se mandati i tretë duhet që bujqësia të hyjë në ciklin e bujqësisë sipërmarrëse. “Sot ne kemi 400 milionë dollarë eksporte, kishim rreth 100 milionë 7 vite më parë. Në planin e veprimit deri në 2025 ne do ta çojmë deri në 1 miliard eksportet dhe për këtë duhet mandati i tretë”, tha ai.

Ai shtoi se mandati i tretë duhet që shëndetësia të marrë formën e vet përfundimtare.

“Infrastruktura shëndetësore po ndryshon si nata me ditën, tani duhet të ndryshojë si nata me ditën edhe administrimi i brendshëm i spitaleve. Duhet që ato fenomenet lodhëse dhe sfilitëse për njerëzit, ato Tiret duhet të zhduken nga sistemi, por për këtë tani është koha që me autonominë spitalore ne të futemi në fazë tjetër që mjekët mos t’i paguajmë më të gjithë njësoj por sipas performancës së tyre që të konsolidojmë gjithë këtë proces transformimi që kemi nisur me infermieret dhe që spitalet tona të bëhen padyshim si spitalet në Turqi, pse të mos bëhen”, tha Rama.

Në vijim, Rama tha se duhet mandati i tretë që të mos kthehet mbrapsht historia me maturantët.

“Dhe këtë e kam me të gjithë prindërit. Çfarë doni, të kthehet historia, e ke çunin dhe gocën me dhjeta nuk e çon dot në mjekësi, nuk e çon dot në fakultetin që do vetë, se vjen goca dhe çuni i ministrit, i deputetit, i biznesmenit dhe ta lënë gocën tënde në një shkollë që nuk e do? Jepja votën këtyre dhe e sheh. Menjëherë këtë ke, se këta nuk dinë të bëjnë gjë tjetër. Ka vite që maturantët që shkojnë në universitet nuk bëjnë një ankesë, sepse sistemi është transparent, digjital dhe i pamanipulueshëm. Dhe unë kryeministri, edhe po desha që t’i shtyj që t’i kapërcejë vendin një tjetri nuk e bëj dot, se nuk e bën dot njeri. Kështu erdhi dita që fëmija i një fermeri në cep të Kavajës, Rrogozhinës apo Tropojës me notat e veta e parakalon fëmijën e ministrit, biznesmenit dhe shkon e ulet atje ku i takon”, tha ai.

Rama tha se ka ende halle për të zgjidhur, ende halle për të adresuar, ka ende gjëra për t’u bërë dhe prandaj duhet mandati i tretë, nuk duhet për mua.

“Kur ta gjeni një më të mirë, iki i lumtur unë, por s’mund të iki unë se thonë këta ‘Rama ik’, sepse ‘Rama ik’ është thelbi i hallit që ata kanë. Po hajde pra, më mund. Jo mor Lul, nuk është kaq kollaj kjo punë, o Lul. Jo mor të keqen vëllai, mor Lul, se të dua shumë. Luli ka rënë në duar të këqija që kur u nda me mua. I mbushën mendjen që të ndahej nga unë dhe e ka lidhur Monika këtu edhe i thonë ‘ssst kape’, dhe ai niset dhe këta të tjerët vijnë me dy gishta, erdhi liria”, tha Rama.