Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi i inkurajoi sot studentët që t’i bashkohen sa më shumë procesit të vaksinimit, duke theksuar se “duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi që së bashku të garantojmë një fillim sa më të mbarë, por edhe një vit akademik sa më të suksesshëm. Vetëm vaksinimi masiv e ndalon përhapjen e infeksionit”.
Në fjalën e saj në Kuvend, Kushi tha se “testi PC është një opsion, por unë do këmbëngulja fort për vaksinimin se është mënyra më e mirë edhe duke u bazuar edhe në të dhënat e shkencës, por edhe në praktikat më të mira të vendeve të rajonit dhe vendeve më të zhvilluara të BE-së”.
“Një nga sakrificat më të mëdha që u detyruam të bëjmë për shkak të COVID-19 ka qenë mësimi online në universitet jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë globin. Studentët jo vetëm që vuajtën pasojat shëndetësore të kësaj krize sepse shume prej tyre edhe vetë u infektuan, por u detyruan të marrin leksionet dhe seminaret online, socializimin me njëri -tjetrin online duke vuajtur pasoja shëndetësore sociale-psikologjike madje duke pasur edhe pasiguri më vonë për tregun e punës”.
Ministrja Kushi tha se “për të kthyer normalitetin në universitete, ashtu sikurse edhe në sektorët e tjerë të shoqërisë, në shumë shtete është marrë vendimi për vaksinimin e detyrueshëm të pedagogëve dhe studentëve dhe gjithë stafeve universitare. Që do të thotë të gjithë studentët pedagogët mund të hyjnë në universitete me kartën e vaksinimit apo me testin e PCR-së”.
Pandemia, shtoi Kushi, kudo sot në mbarë botën ka sjellë edhe një pasojë tjetër, për të cilën nuk flitet shumë, ka rritur akoma më shumë pabarazinë sidomos për shtresat e margjinalizuara e në këtë rast për studentët që vijnë nga familje me të ardhura më të ulëta apo nga komunitete të caktuara dhe që aksesin për mësimin online e kanë shumë më të vështirë sesa studentët e tjerë.
Ministrja Kushi falënderoi studentët që i janë bashkuar kësaj fushate, ndërsa theksoi se “ata po na ndihmojnë të rikthejmë normalitetin si në universitete edhe në institucione të tjera dhe fusha të tjera”.
“Pas pak ditësh fillon viti i ri akademik dhe të gjithë presim rikthimin e studentëve në auditore dhe rigjallërimin e jetës universitare. Ne duam që ju të ktheheni në auditore pa rrezikuar jetën tuaj, të pedagogëve dhe komunitetit prandaj këtë javë e kemi shpallur si java e vaksinimi masiv të studentëve për t’iu dhënë edhe një mundësi për t’iu bashkuar këtij procesi. Falënderoj Ministrinë e Shëndetësisë që u tregua e gatshme për të vënë në dispozicion personelin e vaksinimit në auditore”, – tha Kushi.



























