Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe Banka e Shqipërisë kanë rënë dakord të krijojnë një linjë për marrëveshjet e riblerjes (Repo) për të siguruar likuiditet në euro për institucionet financiare shqiptare, për të trajtuar nevojat e mundshme për likuiditet në euro në rast të mosfunksionimit të tregut për shkak të goditjes së shkaktuar nga COVID-19.
Në njoftimin për shtyp të BQE-së citohet se “Sipas linjës për marrëveshjet e riblerjes (Repo), BQE-ja i ofron likuiditet në euro një banke qendrore të një vendi joanëtar të Eurozonës në këmbim të një kolaterali të përshtatshëm në monedhën euro.
Sipas linjës për marrëveshjet e riblerjes (Repo), Banka e Shqipërisë do të ketë mundësi të marrë hua nga BQE-ja deri në 400 milionë euro. Maturimi maksimal i çdo tërheqjeje do të jetë tri muaj. Linja e marrëveshjeve të riblerjes (Repo) do të jetë në fuqi deri në fund të muajit qershor 2021, për aq kohë sa nuk do të vendoset një zgjatje e afatit”.
Nga ana e saj Banka e Shqipërisë ka vlerësuar dhe theksuar se pandemia e COVID-19 e gjeti sistemin bankar shqiptar likuid dhe të mirëkapitalizuar. Kjo situatë e shëndetshme pritet të vijojë edhe në të ardhmen.
Si një masë paraprake mbrojtëse, Banka e Shqipërisë ka siguruar dakordësinë e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) për tú mbështetur me likuiditet në EUR nëpërmjet marrëveshjes REPO.
Marrëveshja REPO është një formë huamarrje e kolateralizuar. Përmes saj, Banka e Shqipërisë, shet përkohësisht tek BQE tituj që i disponon, duke marrë përsipër t’i blejë ato në një kohë të dytë, sipas kushteve të rëna paraprakisht dakord me BQE-në.
Likuiditeti i siguruar nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, do t’i vihet në dispozicion sistemit bankar shqiptar nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Ky instrument është një mjet mbrojtje rezervë, që mund të vihet në përdorim në rast se do të ketë një mosfunksionim normal të tregut për shkak të ndonjë goditje nga COVID-19. Kjo linjë REPO do të jetë në fuqi në deri në fund të muajit qershor 2021, për aq kohë sa nuk do të vendoset një zgjatje e afatit.