Kryeministri Edi Rama kërkoi sot që Bashkimi Europian të zbatojë vendimin që ka marrë duke miratuar kornizën negociuese dhe thirrur Konferencën e parë Ndërqeveritare, ndërsa cilësoi si të rëndësishëm faktin se “ne kemi një mbështetje të zëshme dhe të përgjithshme nga të gjitha vendet dhe posaçërisht nga Gjermania për të ecur më tutje”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin gjerman të Shtetit për Çështjet Europiane, Michael Roth, kryeministri Rama e cilësoi atë një mik të çmuar të Shqipërisë  dhe një avokat të zëshëm të rrugëtimit europian të gjithë rajonit tonë, por edhe Shqipërisë  posaçërisht.

“E dimë që gjithë kjo vizitë përkon me një kohë jo të parëndësishme në prag të një tjetër takimi të Këshillit Europian për një vendimmarrje të rëndësishme lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më vjen shumë mirë që sot nuk janë vetëm ata që e thoshin edhe dje, por janë të gjithë, edhe ata që dje nuk e thoshin, që Shqipëria i ka kryer të gjitha detyrat e veta dhe miratimi i kornizës negociuese bazuar në vendimin e marrë për çeljen e negociatave nga vetë Këshilli Europian dhe mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare është thjesht dhe vetëm çështje e brendshme e Këshillit Europian”, tha Rama.

Ai theksoi se “në një moment kur përtej faktit se duket se ka një prirje më pozitive se asnjëherë tjetër së brendshmi, BE ndeshet me një surprizë të radhës nga bota ballkanike dhe përreth që lidhet me ngërçin e krijuar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”.

Natyrisht, vijoi kryeministri, “që unë nuk mundet veçse të përsërisja të njëjtën gjë që them me bindje dhe fakte, sipas meje natyrisht, prej kohësh që ne duhet të hapim menjëherë procesin dhe BE duhet të zbatojë vendimin që ka marrë duke miratuar kornizën negociuese edhe thirrur Konferencën e parë Ndërqeveritare”.

“Do të ndodhë apo jo kështu, këtë unë nuk e di sepse kjo varet nga sa do të arrihet të zgjidhet ngërçi me Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe sa Bullgaria do të jetë e gatshme të heqë barrikadën që i ka vënë këtij procesi në një forum ku pa konsesus nuk merret dot asnjë vendim”, tha Rama.

Kryeministri konsideroi të rëndësishme që sot ne “kemi një mbështetje të zëshme dhe të përgjithshme nga të gjitha vendet dhe posaçërisht nga Gjermania për të ecur më tutje”.

“Ministri do të flasë vetë, por në mbyllje dua të bëj një falënderim publik për të gjithë mbështetjen, jo vetëm për këtë temë por në tërësi që kemi pasur nga Republika Federale e Gjermanisë, nga qeveria gjermane dhe parlamenti gjerman dhe nga miq jo të paktë në këto instanca të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Rama.

Uroj shumë, vijoi ai, që në këtë sezon veror ne të kemi sa më shumë turistë nga Gjermania. “I thashë edhe ministrit që ndryshe nga çfarë mund të perceptohej duke lexuar deklaratën e Ministrit të Shëndetësisë gjermane, Shqipëria është vendi më i përshtatshëm sot në Europë për të ardhur me pushime”, tha Rama.

Po ashtu, Rama tha se do të ishte shumë më e rëndë se sa shtyrja e radhës e vendimit për miratimin e kornizës negociuese dhe Konferencës së parë Ndërqeveritare, pamundësimi i qytetarëve të Ballkanit për të udhëtuar normalisht në Europë për shkak të ndarjes së tyre në dy kategori, kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë perëndimore dhe kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë lindore.

“Unë shpresoj që të mos ndodhë kështu dhe uroj që edhe ju dhe miqtë e tjerë të na ndihmoni që ta përçojmë këtë mesazh. Nuk ka arsye pse të ndahen njerëzit në kategori kur bëhet fjalë për të drejtën e tyre elementare të lëvizjes së lirë në bazë të të gjitha rregullave, por njësoj për të gjithë”, tha Rama. /