Në një nga konferencat më të rëndësishme të vitit për COVID-19, kryeministri britanik Boris Johnson bëri një njoftim të rëndësishëm në lidhje me heqjen e kufizimeve.
“Qeveria nuk do t’i udhëzojë më qytetarët që të punojnë nga shtëpia, kërkesat ligjore për bizneset e mikpritjes do të anulohen dhe të gjitha bizneset do të mund të rihapen, përfshirë klubet e natës”, tha Johnson.
E ashtuquajtura “Dita e Lirisë” pritet më 19 korrik, me vendimin për ta realizuar apo jo që do të marret një javë më parë.
Sipas planit të kryeministrit, nuk do të ketë kufizime në kontaktet shoqërore, kërkesa ligjore për të mbajtur maska, megjithëse udhëzimet do të sugjerojnë që njerëzit të zgjedhin ta bëjnë këtë në “vende të mbyllura dhe të populluara”.
Zyrtarët pranuan që rastet dhe vdekjet me COVID-19 do të vazhdonin të rriteshin, megjithëse në një nivel shumë më të ulët sesa para programit të vaksinimit, por tani ishte e nevojshme të gjendej një mënyrë e re për të jetuar me virusin.



























