Deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj deklaroi sot se moscaktimi i një date për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare, vjen si pasojë e politikave të brendshme të BE dhe jo për faj të Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut, që i kishin plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë për nisjen e negociatave.

Në një intervistë televizive, Xhafaj tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kriteret teknike dhe po bllokohen për kritere politike.
“Në procesin e integrimit ne jemi në një pikë shumë pozitive ne i kemi bërë dhe kryer prej kohësh gjithë detyrat e shtëpisë. Kemi dy vite që themi që kjo nuk varet vetëm nga ne, varet edhe nga interlokutori që është nga ana tjetër. Pra, varet nga ato që janë instancat e BE.  Por, ajo që po bëhet gjithmonë edhe më e dukshme, sidomos dy vitet e fundit është që varet shumë edhe nga gjendja e brendshme politike e vendeve anëtare. Dhe nuk duhet të harrojmë në asnjë rast që janë 26 vende anëtare”, theksoi Xhafaj.
Xhafaj u shpreh se vendimi nuk erdhi prej kushteve.
“Debati ka të bëjë me një veto të vënë nga Bullgaria për Maqedoninë e Veriut. Një veto, e cila nuk është vetëm në lidhje me atë që është marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë që kanë nënshkruar në 2017, por që ka të bëjë shumë me edhe me historinë e zgjedhjeve që janë në më pak se një javë në Bullgari, ku një faktor tejet i rëndësishëm politik i brendshëm është edhe ky diskutimi me njohjen e të drejtave të komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut. Dhe kjo tashmë është ngritur në një platformë pan europiane dhe është kthyer në një problem dhe për Shqipërinë. Ky është një problem i madh”, tha Xhafaj.
“Por, përsa i përket asaj që duhej të bënte Shqipëria, pra të gjithë detyrat që ishin lënë qoftë nga Komisioni, por qoftë edhe nga vendet anëtare. Mos harrojmë që disa nga ato kushte, nuk janë kushte që plotësohen, çekohen dhe pastaj vazhdon rrugën. Lufta kundër korrupsionit, nuk është një luftë që ka ndonjë vend në botë  që e ka zgjidhur apo fituar, është një proces konstant, i vazhdueshëm në të gjithë vendet e zhvilluara. Dhe është një proces që po zhvillohet dhe në Shqipëri dhe po e shohim dhe me lajmet e ditëve të fundit. Por do të jetë një konstante që duhet të jetë aty gjithmonë, siç është në SHBA, siç është në vende anëtare të BE. Pra nuk ka të bëjë me kushtëzime dhe pengesa, por ka një shkak më të madh që është tanimë temë e një diskutimi shumë të gjerë brenda vetë institucioneve të BE, pra kjo vendosje e vetos, nga 26 vende anëtare të cilat me kalimin e viteve vazhdon dhe e kthen procesin në një proces tejet kompleks dhe shumë të vështirë për t’u zgjidhur dhe për t’u kuptuar nga vendet e Ballkanit”, theksoi Xhafaj.
I pyetur nëse mund të ketë një ndarje të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë proces dhe nëse ka vende që e mbështesin, Xhafaj tha se, “ka vende të cilat e mbështesin këtë, ka vende të cilat e kanë sugjeruar këtë. Ne po bëjmë gabim shumë të madh, qoftë duke e sugjeruar këtë. Në tre valët e fundit të zgjerimit të Be gjithmonë zgjerimi ka ndodhur me zona gjeostrategjike. Ka ndodhur me zona për një arsye shumë të thjeshtë, sepse është e domosdoshme dhe tanimë edhe real-politikë në fakt, që vendet nuk mund të zhvillohen më si ishuj, pra nuk mund të ketë një Shqipëri që zhvillohet me fqinjët të gjithë të varfër dhe anasjelltas. Në të gjithë rastet e tjera, qoftë me Republikat Balltike, qoftë me vendet e Europës Lindore, qoftë me Republikat e Vishegradit zgjerimi ka ndodhur gjithmonë më grupe vendesh. Kjo sepse nëse do të zgjidhej një vend dhe jo një tjetër, pra Bullgaria dhe jo Rumania, dhe jo anasjelltas, do të sillte një disbalancë shumë të madhe një disekuilibër mes zhvillimit të këtyre vendeve. E njëjta vlen dhe për Ballkanin Perëndimor, ku tashmë janë tre valë. Pra janë dy vende Serbia dhe mali i Zi të cilët i kanë hapur negociatat bazuar mbi kritere politike, jo teknike, jo këto që vazhdojmë ne pyesim veten ai plotësuam kushtet? Kemi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të cilët i kanë përmbushur kriteret teknike dhe po bllokohen për kritere politike dhe kemi pastaj dhe Bosnjen dhe Kosovën të cilat nuk e kanë hapur fare këtë diskutim. Madje Kosova e ka të ndaluar edhe lëvizjen e lirë. Pra kjo ndarje në klasa të ndryshme, e para sjell rritje të mosmarrëveshjes mes vendeve për shkak të disbalancave në zhvillim. E dyta në afatgjatë sjell një impakt për të gjithë qytetarët e zonës. Ndërkohë që po flasim sot për Procesin e Berlinit dhe për nevojën për ndërlidhje të rajonit nuk mund të vazhdojmë të flasim  për ndarje dhe copëzim të mëtejshme të Ballkanit Perëndimor”, tha Xhafaj
Xhafaj tha se politika shqiptare duhet të jenë më e unifikuar në qëndrimet që kanë të bëjnë me çështjet kryesore të vendit dhe se duhen shmangur patjetër epitetet negative të politikaneve që përdorin në sy të huajve pasi kjo e dëmton shumë vendin.
Ai theksoi se opozita e mazhoranca duhet të bashkëpunojnë dhe të kenë rakordim në lidhje me kauzat e rëndësishme për vendin.
“Ka një problem shumë të madh me mënyrën se si ne e japim mesazhin në politikë. Dhe kjo është një në të cilën duhet të fokusohemi veçanërisht nëpërmjet mediave, sepse ka gjithmonë e më tepër një frymë luftarake që është e skajshme, ku ne nuk diskutojmë dot me njëri tjetrin. Pavarësisht se takohemi, pavarësisht se shtrëngojmë duart me njëri-tjetrin, epitetet që përdorim në sy të huajve dhe faqe kancelarive më të rëndësishme të kontinentit janë tërësisht pezhorative dhe tërësisht negative. Dhe kjo gjuhë sigurisht na dëmton”, tha Xhafaj.
“Kjo ka për të qenë një nga sfidat e kësaj legjislature. Ne jemi zgjedhur dhe votëbesuar nga qytetarët shqiptarë që t’i përfaqësojmë ata dhe të përfaqësojmë aspiratën e tyre për ta bërë Shqipërinë anëtare të BE-së . Ne nuk mund të lejojmë që sherret me njëri-tjetrin, duke i vazhduar sherret të kuptohemi, por nuk mund të lejojmë që ato të jenë pengesë për këtë aspiratë. Pra ajo që duhet të bëjmë është të biem dakord që ka kauza të mëdha, rimëkëmbja ekonomike, integrimi europian, janë kauzat e mëdha, të cilat duhet t’i bashkojnë të gjithë politikanët, sepse janë kauza të mbështetura nga më shumë se 97% e shqiptarëve. Tek këto duhet të biem dakord që të vazhdojmë së bashku. Pastaj tek të gjithë të tjerat të vazhdojmë, debatin, sherrnajën politike sa të mundemi, nëse nuk mund të evitohet. Po ama tek kauzat kryesore duhet medoemos të kemi një rakordim”, u shpreh Xhafaj.