Drejtoritë vendore të Policisë Rrugore Tiranë, Lezhë, Durrës, Fier e Vlorë si rezultat i kontrolleve mbrëmjen e sotme ndëshkuan me masë administrative, 3000 lekë secili, drejtuesit e 56 kamionëve.
Në zbatim të Udhëzimit të Përbashkët të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrit të Brendshëm, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe strukturat vendore të Policisë janë planifikuar dhe janë marrë masat shtesë gjatë sezonit turistik edhe përkufizimet e qarkullimit të mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave, në ditët e pushimeve javore dhe festave zyrtare.
Për këtë, Policia Rrugore ka filluar zbatimin e detyrimeve për kufizimin e lëvizjes së këtyre automjeteve duke filluar nga data 15 qershor 2021 deri në 15 shtator 2021.
Në vlerësim edhe të shqetësimeve që vijnë nga qytetarët, Policia Rrugore po ushtron kontrolle për kufizimin e lëvizjes së mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave përgjatë sezonit turistik.
Policia Rrugore apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital e në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të qarkullimit rrugor, duke garantuar anonimat të sigurt, reagim të menjëhershëm e të paanshëm.
Në të gjithë vendin Policia Rrugore po vijon kontrollet permanente për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor./k.s