Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj lajmit për ndarjen nga jeta të këngëtarit të njohur, zërit brilant të muzikës shqiptare, Sherif Merdani. “Lamtumirë, Sherif Merdani”, shkroi Rama duke përcjellë një fotografi të tij.

Merdani njihet si një ndër këngëtarët më të mëdhenj të muzikës së lehtë shqiptare. Pas Festivalit të 11-të ai, ai edhe disa kolegë të tij, u përndoq nga regjimi i Enver Hoxhës dhe përfundoi në burg, ku u dënua me 16 vite. Pas viteve ’90 Merdani ka punuar edhe si diplomat në ambasadën shqiptare në Romë.

Meta: Kaloi një kalvar të gjatë vuajtjesh. Presidenti Ilir Meta përcolli mesazhin e ngushëllimit pë ndarjen nga jeta të artistit Sherif Merdani.

” Këngëtari i lirisë, Sherif Merdani u nda sot prej nesh duke lënë pas shumë dhembje. I burgosur politik, së bashku me të tjerë artistë të mëdhenj pas Festivalit të 11-të të muzikës së lehtë shqiptare, ai kaloi një kalvar të gjatë vuajtjesh pse guxoi të jepte një dritë shprese, nëpërmjet artit, në periudhën më të errët për vendin.

Ngushëllime familjes dhe komunitetit të artistëve për këtë humbje të pazëvendësueshme!”, u shpreh Meta. “I paharruar kujtimi i Sherif Merdanit!”, tha Meta duke përcjellë disa vargje nga artisti: “…Dhe me diellin çdo mëngjes, po, po,

‘Let it be’, kam për të kënduar”. Basha: Nga artistët më të spikatur të brezit të tij. Kryetari i Partisë Demokratike, LulzimBasha dha një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të artistit Sherif Merdani.

“Me trishtim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të artistit të njohur Sherif Merdani. Sherifi ishte një nga artistët më të spikatur të brezit të tij. Zëri dhe arti i tij kumboi fort dhe në errësirën e regjimit dhe të burgjeve të komunizmit në të cilat ai kaloi 16 vite të jetës. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve dhe të gjithë komunitetit të artistëve shqiptarë që sot humbën të afërmin dhe mikun e tyre! Shpirti i tij u prehtë ne paqe!”, u shpreh Basha.