Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një intervistë televizive foli për gjendjen aktuale ku ndodhet ekonomia shqiptare, si dhe për pritshmëritë.
“Tërmeti dhe pandemia ishin dy goditje që amplifikuan njëra-tjetrën. Megjithatë, ekonomia shqiptare tregoi një lloj qëndrueshmërie gjatë vitit 2020, ku i tejkaloi të gjitha parashikimet që jo vetëm MFE, por edhe institucionet ndërkombëtare kishin bërë për ecurinë e kësaj ekonomie”, u shpreh Ibrahimaj.
“Pra gjatë vitit 2020 ne arritëm të kemi një recesion prej 4%, ndërkohë që parashikimi optimist ishte për rënie me 6% dhe pastaj vazhdon me shifra të tjera”, tha ajo.
“Ndërkohë, viti 2021 ka nisur mirë. Në tremujorin e parë patëm një rritje prej 5,5%. Gjithashtu, ecuria e treguesve indirektë të lidhur me ekonominë. Pra tregtia e jashtme apo të ardhurat, apo treguesit e besimit të biznesit, tregojnë për një vazhdimësi dhe një përshpejtim të rritjes pozitive gjatë vitit”, u shpreh Ibrahimaj.
“Edhe viti 2021, ne parashikojmë të mbyllet me një rritje më të lartë nga sa ishte parashikuar në fillim të këtij viti. Kjo do të thotë se ekonomia shqiptare me gjithë goditjet e rënda, pra tërmeti në fund të 2019 dhe pandemia në vitit 2020, arriti ta përballojë këtë valë. Dhe kjo ka qenë edhe si pasojë e politikave të ndjekura gjatë atyre muajve”, theksoi Ibrahimaj.
E pyetur për borxhin ministrja theksoi se, “nga vitit 2022, qeveria planifikon të hyjë në një rrjedhë të konsolidimit fiskal. Duke u munduar të ruajmë norma të investimit, të cilat janë të nevojshme dhe ishin të nevojshme, për të tejkaluar krizën që shkaktoi pandemia dhe tërmeti. Pra duke u munduar të ruajmë një ritëm të investimeve të stimulit fiskal ne do të mundohemi të hyjmë në fazë konsoliduese për të arritur në një periudhë afatmesme në ato norma dhe parametra që ishim përpara krizës”.
Për rritjen ekonomike të parashikuar mesatarisht për 4 vite në me 4,5%, Ibrahimaj u shpreh se, “ekonomia ecën me cikle. Krizat dhe pandemia, por krizat ekonomike në përgjithësi kanë treguar që kanë ndikuar në përshpejtime të rritjes ekonomike në periudha afatmesme në historikun e tyre. Edhe kriza që sapo kaluam po na tregon se rikuperimi i ekonomisë ka qenë në rritje. Sigurisht që viti 2021 do të ndiejë efektin, në nivel rritje reale ekonomike, efektin e një viti më parë të bazës. Por, gjatë vitit të ardhshëm do të ndjehet niveli i bazës së lartë të vitit 2021. Por, nëse ne do t’i referohemi shifrave të rritjes së të ardhurave, patjetër që janë dukshëm më të larta se viti 2020, por edhe se vitit 2019, i cili ishte me një ecuri normale. Kjo tregon që treguesit realë të ekonomisë, të cilët tregojnë për aktivitetin real, kanë pasur një ecuri pozitive, krahasuar edhe me vitet e mëparshme. Kjo rritje pritet të jetë e qëndrueshme duke u bazuar si në ecurinë e aktivitetit ekonomik, ashtu edhe në politikat e reja që do të futen dhe do të incentivojnë vazhdimin e kësaj rritjeje edhe për politikat e reja. Biznesi shqiptar tregoi që ka një qëndrueshmëri”.
Ibrahimaj foli edhe për rritjen e pagave në sektorin shtetëror dhe atë privat.
“Rritja ekonomike dhe punësimi janë dy elementë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Shifrat e punësimit kanë qenë të kënaqshme gjatë vitit 2020 dhe vitit 2021, duke treguar një tejkalim të atij efekti që u dha nga pandemia. Qeveria do të vazhdojë investime të mëdha që shoqërohen me punësim në sektorë që janë të lidhur me punën si, turizmi, bujqësia. Nga ana tjetër, qeveria do të ndihmojë sipërmarrjet e vogla, sipaërmarrjet start-up. Ka një sërë masash në programin e qeverisë që do të ndihmojnë biznesin e vogël dhe start-upet me qëllim që të ketë një zhvillim të punësimit në këtë sektor. Nga ana tjetër, ka projekte të mëdha, si ai i Durrësit, ku pritet të ketë zhvillim në turizëm, por edhe një numër të madh të punësuarish. Bashkë me to janë projektet e mëdha infrastrukturore që do të vazhdojnë të angazhojnë forcën e punës e cila aktualisht është e angazhuar në procesin e rindërtimit apo në procesin e zhvillimit të ndërtimit. Parashikohet që punësimi të vazhdojë të rritet me ritmin e rritjes ekonomike”, tha ajo.
E pyetur në lidhje me rritjen e pagave me 30 deri në 40% në administratë, Ibrahimaj tha se, ‘patjetër që është i realizueshëm. Rritja me 30 deri në 40% do të jetë një rritje e shpërndarë ndër vite. Është një premtim i qeverisë dhe ne synojmë të rritet mirëqenia e gjithë ekonomisë dhe jo vetëm e të punësuarve në administratën publike, mjekë, infermierë”.
“Ky premtim është një premtim që do të realizohet. Synimi kryesor i kësaj është se shteti shërben si target edhe për privatin”, shtoi ajo.
“Ne synojmë që edhe nëpërmjet politikës së rritjes së pagës minimale deri në fund të 4-vjeçarit, apo të rritjes së bazës së tatueshme mbi pagën, synojmë nxitjen e rritjes së pagave edhe në sektorin privat dhe kjo rritje të jetë një rritje në gjithë ekonominë, paga mesatare të rritet në të gjithë ekonominë dhe jo vetëm në sektorin shtetëror”, u shpreh Ibrahimaj.
E pyetur sesi do të arrihet ulja e borxhit në 60% për 4 vite, Ibrahimaj tha se, “nga vitit 2022, pavarësisht politikave të programit të ekonomisë, Ministria e Financave do të hyjë në një fazë më të kujdesshme të konsolidimit fiskal, e cila që sigurisht nuk do të vijë menjëherë, por vit pas viti dhe do të synojë drejt nivelit 60%. Niveli i borxhit dhe diskutimi mbi nivelin optimal të borxhit dhe ku qeveritë duhet të vendosin ndërmjet nivelit të borxhit dhe rritjes ekonomike është një diskutim i gjerë. Niveli 60% është ai nivel i synuar, i cili do të arrihet në një periudhë afatmesme, nuk është një nivel që do të arrihet për 1, 2 apo 3 vite. Ne do të mundohemi që të mos humbim stimulin fiskal dhe këtë politik të rritjes së pagave, të mund të optimizojmë administrimin fiskal dhe rritjen e të ardhurave”.
“Gjatë vitit të fundit është punuar për një strategji, e cila quhet strategjia afatmesme e të ardhurave që ka dy komponentë kryesorë. Së pari, komponenti i politikave fiskale dhe komponentin e mirëadministrimit fiskal. Sa i përket politikave fiskale, patjetër që ato politika që ishin planifikuar të ndërmerreshin përpara pandemisë kanë ndryshuar duke qenë se edhe situata ekonomike ka ndryshuar dhe tashmë duhen studiuar me vëmendje. Nga ana tjetër, sa i përket politikave të mirëadministrimit fiskal, ju e dini që procesi i fiskalizimit ka filluar dhe pritet të japë efekte që në vitin e ardhshëm në rritje të të ardhurave. Po janë edhe një sërë masash në lidhje me mirëadministrimin fiskal që çojnë në ulje të informalitetit dhe rritje të eficencës së mbledhjes së të ardhurave ”, tha ministrja Ibrahimaj.
E pyetur për garancinë sovrane për fasonët, Ibrahimaj u shpreh se, shpreh se kushtet për garancinë sovrane do të diskutohen me biznesin në mënyrë që të përthithet sa më shumë.
“Ecuria e biznesit fason ndonëse pati një goditje, si nga çmimet, si nga efektet e kursit të këmbimit dhe nga pandemia, kërkesat për produkte shqiptare dhe produkte të përpunuara në Shqipëri kanë qenë në rritje, nga jashtë vendit. Kjo do të thotë se biznesi fason ka pasur një ecuri pozitive dhe bilancet kanë qenë pozitive. Aksesi në financë dhe garancitë sovrane garantohet nga qendrueshmëria e këtij sektori post pandemisë. Disa kategori në këtë sektor gjatë vitit 2020 kanë performuar edhe më mirë se në vitin 2019”, theksoi Ibrahimaj.
“Ne do të analizojmë efektet dhe masën e përthithjes së garancive sovrane që u dhanë gjatë periudhës së pandemisë. Sigurisht, të gjitha shifrat në këtë sektor tregojnë për një qëndrueshmëri të këtij sektori. Interesi i qeverisë është që garancitë sovrane të përthithen sa më mirë nga biznesi. Situata e bizneseve nuk është si në vititin 2020. Uroj që të mos rigjendemi në kushtet e fillimit të pandemisë. Patjetër që kushtet do të negociohen, do të diskutohen me biznesin me qëllim që të arrijnë të përthithen sa më shumë të jetë e mundur”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

























