Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi sot një takim me kryebashkiakët dhe drejtorët e ujësjellësve në qarkun e Fierit për reformën në sektorin e ujit.

Balluku diskutoi me kryebashkiakët dhe drejtuesit e ujësjellësve të këtij qarku, për të bërë të mundur rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, por njëkohësisht për të përmirësuar edhe performancën e ndërmarrjeve.

“Kemi vendosur që të ndërmarrim një reformë të thellë dhe të qenësishme për sektorin e ujit dhe të kanalizimeve”, tha Balluku.

Ajo kërkoi analizë bazuar në indikatorët e dhënë nga vetë bashkitë dhe drejtoritë e ujësjellësve. “Të kuptojmë pse i gjithë ky investim real dhe intensiv, sidomos këto 3 vitet e fundit i bërë në këtë sektor, nuk arrin të japë rezultat. Për më tepër në disa raste, duke marrë parasysh që këto indikatorë vetëdeklarohen nga ju, kemi të kundërtën. Janë shtuar investimet ndërkohë që kemi shtim të ujit të papaguar, që janë humbje teknike, sasi të vjedhura apo gjithçka tjetër, e cila kalon nga depozitat, por nuk arrin të shlyhet apo të faturohet”, theksoi Balluku.

Balluku u shpreh se, “mesatarja e mbulimit të furnizimit me ujë për popullsi në të gjithë qarkun e Fierit është 65.78 %”.

Sa i përket investimeve që janë ndërmarrë në qarkun e Fierit nga viti 2014 deri më sot, Balluku tha se, “janë investuar 7.25 miliardë lekë, ose 59 milionë euro”.

Balluku tha se, “për qarkun e Fierit, totali i detyrimeve të papaguara deri në qershor 2021 është 5.86 miliardë lekë, ose 47.5 milionë euro”.

Një tjetër problem që evidentoi Balluku është eficienca e stafit, e cila u shpreh ministrja, “për ne është një komponent i rëndësishëm i keqmenaxhimit të sektorit kudo në Shqipëri dhe veçanërisht në qarkun Fier”.

“Ne kemi një respekt shumë të madh ndaj autonomisë vendore. Megjithatë në rast të pamundësisë financiare të sistemit të ujësjellësve, shteti është i detyruar të ndërhyjë, duke anashkaluar çdo lloj kuadri tjetër ligjor, në të mirë të qytetarëve dhe padyshim për të shëndoshur sistemin, i cili duke lënguar ka filluar të infektojë edhe sektorë të tjerë të ekonomisë. Asnjë nga ne nuk ka dëshirë të marrë më shumë detyra seç ka, nuk është as ëndrra e qeverisë qendrore që të marrë dhe menaxhojë ujësjellësit, por kjo është një situatë që nuk mund të vazhdojë më”, tha Balluku.

Balluku paralajmëroi një aksion që pritet të ndërmerret ndaj lavazheve që përdorin ujë të pijshëm.

“Për sa i përket shpërdorimit të ujit, vazhdon dhe mbeten një problem i madh në Republikën e Shqipërisë lavazhet, të cilat kanë një kuadër ligjor mbi të cilin duhet të funksionojnë, që duhet të jenë me puse, që duhet të jenë me bote etj. Dhe fatkeqësisht na rezulton që përdoren burime të ujit të pijshëm”, theksoi ministrja.

Për këtë, theksoi Balluku, do të ketë një aksion nga ana e AKUM. “Do t’u kërkohet mbështetja e bashkive kur janë në territorin tuaj dhe jo thjesht në territoret e autostradave”, tha ajo.

“Do kërkojmë ndërhyrje të AKUM nga ana teknike, me ndihmë të Policisë së Shtetit, për të kapur çdo abuzim kur uji i pijshëm përdoret për arsye të tjera”, tha Balluku.