“Patriotizmi fillon nga mbrojtja e mjedisit të vendit tënd”, u shpreh sot Kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë publikoi foto që tregojnë momente nga pastrimi sot në Durrës, Sarandë dhe Fier. Kryeministri falënderoi të gjithë për angazhimin në Planin Kombëtar të Pastrimit.
“Patriotizmi fillon nga mbrojtja e mjedisit të vendit tënd, në radhë të parë duke mos i hedhur plehrat rrugëve, parqeve, plazheve, po duke e konsideruar tokën e atdheut dysheme të shtëpisë që e ke trashëgim nga ata që e banuan para teje dhe duhet t’ia lesh të pastër atyre që do të vijnë pas teje”, u shpreh Rama.
Për vitin 2022, parashikohet një buxhet specifik për të garantuar pastërtinë e vendit, të qyteteve, plazheve dhe zonave të trashëgimisë kulturore.
Edhe më herët, Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se asnjë buxhet i bashkive nuk do të kalojë në këshillat bashkiakë dhe prefektura, nëse nuk ka të garantuar financimin e pastrimit, bazuar në një metodologji të re.
Plani i Veprimit për pastrimin rrënjësor të Shqipërisë nisi më 7 nëntor në Vlorë dhe po përfshin të gjitha qytetet e vendit.


























