Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka përfunduar mbrëmjen e sotme rreth orës 21:30 vizitën e tij një ditore në Shqipëri.
Në ceremoninë e përcjelljes në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit qeveritar.
Teksa ka publikuar pamje nga ceremonia e përcjelljes së presidentit turk në aeroportin e Rinasit Rama e ka shoqëruar videon me “Faleminderit”.
Erdogan e nisi vizitën zyrtare në Shqipëri me pritjen me ceremoni zyrtare në aeroportin e Rinasit, ndërsa më pas Presidenti i Republikës së Turqisë vizitoi një prej shtëpive të rindërtuara pas tërmetit të 26 Nëntorit në Laç.
Erdogan më pas mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të shtëpive të ndërtuara pas tërmetit në Laç. Po ashtu ai mori pjesë edhe në ceremoninë e emërtimit të sheshit në Laç me emrin e Presidentit të Republikës së Turqisë.
Ndërsa më pas u zhvillua në Kryeministri takimi midis Presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit Edi Rama.
Më pas u zhvillua nënshkrimi i marrëveshjeve dhe konferenca e përbashkët për shtyp.
Presidenti i Republikës së Turqisë përshëndeti më pas me një fjalë Kuvendin e Shqipërisë.
Më pas Erdogan mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë.



























