Prej 158 personave nga Kosova, sa kanë qenë të dënuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm, nga viti 2013 e këndej, aktualisht duke vuajtur dënimin në institucionet e Shërbimit Korrektues të Kosovës janë nëntë syresh.
Shumica e të dënuarve kanë qenë pjesëmarrës në luftërat civile të Sirisë dhe Irakut.
Radio Evropa e Lirë ka biseduar me njërin që ka kryer dënimin prej tre vjetësh e gjysmë burgim, por ai nuk ka dhënë detaje se çfarë bën tani.
“Ka përfunduar ajo epokë. Burgun e kam kryer, tash jam duke punuar”, ka thënë ai dhe ka kërkuar që të mos identifikohet.
REL-i ka tentuar të flasë edhe me disa ish-të burgosur të tjerë, për të mësuar se çfarë kanë bërë pas vuajtjes së dënimit për terrorizëm, por ata kanë refuzuar të përgjigjen.
Kosova, në vitin 2015, ka hartuar ligjin, në bazë të të cilit çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja, mund të dënohet nga 5 deri në 15 vjet burgim.



























