Rrjeti i agroturizmeve në Shqipëri nisi në fillim të vitit 2018. Me mbështetjen e qeverisë përmes Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, fermerët në skaje të ndryshme të vendit, nisën të kthenin ambiente të banesës së tyre, në shtëpi pritje për vizitorët e ndryshëm. Gradualisht ata e shtuan ofertën me menu ushqimore nga fermat e tyre dhe sot kanë krijuar paketa agroturistike me larmi produktesh dhe shërbimesh që janë mjaft të frekuentuara nga vizitorët dhe turistët e huaj.
I tillë është agroturizëm “Gjepali”, një tjetër sipërmarrje e suksesshme mbështetur nga AZHBR përmes Skemës Kombëtare.
Është historia e një familjeje të lidhur ngushtë me tokën, e cila sot kanë arritur të ndërtojë këtë sipërmarrje, ku ndërthuret më së miri aktiviteti bujqësor dhe ai turistik.
Tek agroturizëm “Gjepali” ofrohet akomodim në tetë dhoma, kuzhinë tradicionale dhe kontakt i drejtpërdrejtë me natyrën.
Përmes ndërtimit të sipërmarrjeve agroturistike synohet diversifikimi i aktivitetit ekonomik në fshatra, rritja e të ardhurave familjare dhe rigjallërim i jetës në zonat rurale.



























