Këshilli i Ministrave emëroi sot Albana Tolen zëvendësministre të Arsimit dhe Sportit.
Në mbledhjen e sotme në mbështetje të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi që Albana Tole të emërohet zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit.
Po sot, Këshilli i Ministrave vendosi edhe lirimin nga detyra të zëvendësministrit të Arsimit dhe Sportit, Oltion Rrumbullaku.
Këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë.
Ndërkohë që deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa reagoi sot pas vendimit të qeverisë për emërimin shkarkimin e zv/ministrit të Arsimit dhe Sportit, Oltion Rumbullaku.
“Sot në komision në orën 12:00 ministrja e Arsimit Kushi u largua se do të shkonte në mbledhje qeverie dhe na la të përgjigjej zëvendësministri Rrumbullaku për pjesën e mbetur. E delegoi në mbledhje për të na dhënë përgjigje para komisionit, ndërkohë shkoi në mbledhje tjetër për ta shkarkuar. Ose ministren e Arsimit nuk e pyet njeri dhe as nuk kishte ide që do e shkarkonin zv ministrin e saj, ose ajo është tallur me parlamentin duke lënë në raportim dikë që ishte në shkarkim”, tha Zhupa.
Sipas saj, të dyja tregojnë nivelin e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmin e kësaj qeverisje.



























