Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, priti sot në një takim në Kryesinë e Kuvendit, Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos.
Në një prononcim për mediet pas takimit, Balla tha se “takimi i sotëm vjen pas publikimit nga KE të progresraportit, që është një prej më të mirëve për Shqipërinë”.
“Progresraporti i ka hapur dritën jeshile mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare, momenti formal i fillimit të bisedimeve të një vendi që synon të anëtarësohet në BE, edhe pse është e lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Balla.
Balla siguroi se “do të vazhdojmë të intensifikojmë përpjekjet tona për të çuar para reformat”.
“Kemi biseduar për çështjet që lidhen me Reformën në Drejtësi, ecurinë e saj, si dhe nevojën e dakordësisë së të gjitha palëve për zgjatjen e afateve të organeve të Vetingut deri në dhjetor 2024”, tha Balla.
Ai theksoi se “kjo nuk është një çështje politike, por jemi në kushtet e një nevoje emergjente që palët të bien dakord, jo si nevojë e një dialogu apo marrëveshje politike, por si nevojë që sjell sugjerimi i ekspertëve”.
Balla iu përgjigj edhe pyetjes mbi kërkesën e mazhorancës drejtuar Komisionit të Venecias për dhënien e një opinioni mbi këtë çështje dhe abstenimin e deputetit të PS-së, Fatmir Xhafaj në komision.
“Nuk ka mungesë dakordësie fare. Xhafaj ka dhënë kontribut të rëndësishëm në draftimin dhe çuarjen para të Reformës në Drejtësi. Kemi pasur një diskutim së bashku. Ai mendon se ka pasur një opinion për këtë më parë nga Komisioni i Venecias. Por, kemi rënë dakord të ketë një opinion të ri, sepse ka sensibilitet për këtë çështje. Pyetjet për Komisionin e Venecias janë nisur që të shpëtojmë sa më shumë kohë”, tha Balla.



























