Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot për protestën e komunitetit shqiptar në Londër.
Balla u shpreh “krenar për çdo shqiptar që punon dhe kontribuon çdo ditë në ekonominë, jetën sociale dhe kulturore të Mbretërisë së Bashkuar”.
“Turp për këdo që do të krijojë përfitime politike, duke sulmuar komunitetin tonë atje”, theksoi Balla në një postim në rrjetet sociale.
Komuniteti shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar zhvilloi sot një protestë në “Westminster Bridge” në Londër, me sloganin “Kundër poshtërimit të shqiptarëve në Britani”.
Të veshur kuqezi, me flamuj dhe pankarta në duar, mijëra emigrantë u mblodhën këtë të shtunë në Londër për t’i treguar qeverisë britanike se nuk janë kriminelë.
Me këngë shqipe në sfond, ata kërkojnë dorëheqjen e sekretares së brendshme Suella Braverman. Teksa protestojnë në urën ‘Westminster’, kanë afishuar edhe pankartën që shkruan: “Shqiptarët s’janë kriminelë.”
Një prej kërkesave të tyre është edhe kërkim falje nga Braverman.
Ata thonë se do të qëndrojnë edhe 60 minuta e më pas do t’i drejtohen pallatit Buckingham. Në rast se nuk ka reagim, paralajmërojnë protestë tjetër më 28 nëntor.



























