Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se, rezoluta në mbështetje të Ukrainës është në të njëjtën linjë, në të njëjtin standard me atë të Kongresit të SHBA-së, me atë të PE, apo edhe me atë të Bundestagut.
“Fatkeqësi shumë e madhe që në kushtet një plage të madhe mu në mes të Evropës, të çohet dikush që ka qenë president, kryeministër, e të fyejë viktimat, të fyejë familjet që janë detyruar të lënë atdheun e vet, edhe të hedhë të njëjtat kunja që ka hedhur gjithë jetën e vet politike për çështje të orekseve të politikës së brendshme. Turpi ka gjithmonë një emër, dhe i mbetet atij që sapo foli”, u shpreh Balla duke replikuar me ish-kryeministrin Berisha.
“Situata që kemi përpara është më e keqja e që do kërkonte gjithmonë që sot të ishim të bashkuar, jo të ndarë. Sepse lufta po vret e po shkatërron në Ukrainë, por po i fut kthetrat e veta edhe në jetën e përditshme të çdo vendi, edhe në jetën e Shqipërisë”, tha Balla.
“Rezoluta erdhi si një nevojë që Kuvendi i Shqipërisë të merrte qëndrimin e vet. Dhe rezoluta nuk i përket asnjë grupi parlamentar, por i përket të 4 grupeve parlamentare të cilat ekzistojnë sot në Kuvendin e Shqipërisë. Unë nuk njoh më shumë se 4 grupe parlamentare në këtë sallë. Dhe si e tillë edhe në mënyrën se si u propozua, edhe në mënyrën se si u dakordësua edhe me deputeten Doda, edhe me Mediun, edhe me Alibeajn, ka qenë diçka për t’u përshëndetur, duke vlerësuar seriozitetin e secilit prej kolegëve që sapo përmenda, të cilët mbi oreksin politik të ditës vendosën nevojën e një dakordësie për të sjellë në Kuvend një dokument të përbashkët. Pra nuk është as e dy grupeve më të mëdha, por është e 4 grupeve që ekzistojnë në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Balla.
“Lidhur me çfarë u tha, gjoja mangësitë e rezolutës, rezoluta është në të njëjtën linjë, në të njëjtin standard me atë të Kongresit të SHBA-së, me atë të PE, nëse doni me atë të Bundestagut. Natyrshëm ka pasur një moment që kemi diskutuar me delegacionin tonë në Asamblenë Parlamentare të KiE, që lidhet me vendimet për përjashtimin e Rusisë dhe nevojën që të marrim të gjitha përgjegjësitë që lidhen edhe me nevoja të financimit të KiE”, theksoi Balla.
“Sigurisht që janë çështje që do t’i ndjekim. Ky është një dokument që do i shkojë menjëherë të gjitha ambasadave tona natyrshëm, por edhe delegacioneve tona në kuadër të asaj që quhet demokraci parlamentare”, shtoi ai.
“Unë e kuptoj që mund të kesh 1000 arsye për të bërë opozitë, por ky diskutim sot këtu, i këtij njeriu që sapo foli, që s’kishte asnjë lidhje me Ukrainën, asnjë lidhje fare. Inate, kunja të vjetra. Se ku hynte Sorosi tek sulmi i Putinit, një agresori tek sulmi në Ukrainë, hajde gjeja arsyen. Halli yt nuk mund të jetë halli i këtij Kuvendi”, u shpreh Balla.
Sa i përket rezolutës, Balla tha se, “duhet ta dini shumë qartë që rezoluta, dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës. Si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, duke shkelur hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut dhe një sërë dokumentesh të tjera ndërkombëtare dypalëshe që Rusia kishte firmosur me vullnet të lirë dhe të gjitha i ka shkelur sot”.
Prandaj, shtoi Balla, “ajo që është e nevojshme, dhe besoj që të gjithë deputetët e këtij Kuvendi, ata që e kanë zemrën në vendin e duhur dhe mendjen në vendin e duhur, sot të mbështesin gjithë qeverinë shqiptare në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë SHBA dhe BE në mbështetje të sovranitetit të plotë të Ukrainës dhe të parimeve të sigurisë evropiane dhe të rendit global të marrëdhënieve midis shteteve”.
“Të mbështesim sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmarra nga partnerët strategjikë ndaj Federatës Ruse, sepse diskutimi i parafolësit ishte një diskutim që shpie tërësisht ndesh nevojës për të forcuar të gjitha sanksionet ndaj Federatës Ruse dhe ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj. Këtë kërkon Kuvendi i Shqipërisë”, nënvizoi Balla.
“Çdo deputet sot duhet ta ndajë mirë në cilën anë të historisë është, dhe mendoj që duhet të jemi të gjithë në anën e duhur të historisë dhe të mbështesim këtë rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë”, tha Balla.
“T’i bëjmë thirrje të ndalohet menjëherë përdorimi i forcës nga Federata Ruse në Ukrainë dhe për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës, sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht”, theksoi Balla.
Gjithashtu, vijoi Balla, “ne dënojmë me forcë agresionin ushtarak ndaj Ukrainës duke vlerësuar se aktet kundër civilëve, edhe sot ka pasur të tilla, janë krime lufte dhe shkaktarët e këtij agresioni duhet të përballen me Gjykatën Ndërkombëtare të drejtësisë. Prandaj Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur të shprehë angazhimin në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe partnere në NATO, në BE, në KiE, në OKB, në rajonin e Ballkanit natyrshëm dhe me partnerë të tjerë, në mbështetje të sovraniteti dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane”.
“Prandaj unë do ju ftoja të gjithë kolegët deputetë t’i lëmë mënjanë kunjat, t’i lëmë mënjanë orekset e politikës së ditës, ky është një dokument që na bën krenarë dhe natyrshëm shpreh vullnetin e do thosha, jemi ndër kombet e vetëm që jemi 100 % pa asnjë dallim me ata miqtë atje, popullin e Ukrainës, me të cilët sigurisht, për ata që nuk e dinë ne shqiptarët kemi një minoritet shqiptar që jeton në zonën e Odesës, por lidhjet kulturore, lidhjet vëllazërore me popullin e Ukrainës duhet të ishin sot motivi i qëndrimeve korrekte”, përfundoi Balla.
Më herët, ish-kryeministri Berisha u shpreh se, “nuk e shoh në rezolutën që keni paraqitur sot në konsensus të dy grupet, ku relatori që tjetër lexoi në fjalën e tij krejt tjetër diskutoi në paraqitjen që bëri, këtë dimension të rrezikshëm botëror të agresionit ndaj Ukrainës”.
“Rezoluta që paraqitet këtu është deficitare dhe në një aspekt tjetër. Cilido që njeh historinë e kontinentit, të paktën në tre shekujt e fundit, ambiciet e Rusisë kanë qenë 2 më kryesoret, Adriatiku dhe Dardanelet. Pra a mund të rrimë ne kaq të pazë në një kohë kur ai agresion në Ukrainë, sigurisht që ai synon edhe ndonjë vend tjetër përreth aty, por në distancë absolutisht nuk synon asnjë territor tjetër më shumë se detin Adriatik. Ju duhet të kuptoni që Rusia, Adriatikun dhe Dardanelet në çmendurinë e saj perandorake i ka jetike për të shkurtuar rrugët dhe për të dominuar në Mesdhe”, tha Berisha.
“Rezoluta është një rezolutë sikur të jetë e shkruar në ndonjë vend të Oqeanisë, dhe jo në një nga vendet gjeostrategjike më nevralgjike për ambiciet ekspansioniste të Perandorit pa të mbathura që quhet sot terroristi nuklear Vladimir Putin”, u shpreh Berisha.
Berisha tha se “po aq kriminel sa Putin është edhe Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë luftës në Bosnjë dhe Kosovë ishte një doktrinar i genocidit që serbët kryen ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe boshnjakëve në Bosnjë”.



























