Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se Komisioni Europian, në raportin vjetor të vitit 2022 vlerësoi se Shqipëria ka bërë një përparim të mirë, veçanërisht sa i takon vijimit të procesit të miratimit të legjislacionit dytësor në zbatim të ligjit për prokurimin publik.

Balluku mori pjesë në konferencën ndërkombëtare, organizuar në Tiranë me pjesëmarrjen e 26 vendeve “Prokurimet e hapura dhe të qëndrueshme në Europë”.

“Organizmi i kësaj konference është një vlerësim i rëndësishëm i reformave të qeverisë shqiptare, veçanërisht në drejtim të zhvillimit të prokurimeve të hapura dhe të qëndrueshme. Sipas raportit vjetor të vitit 2022 të Komisionit Europian, Shqipëria ka bërë një përparim të mirë, veçanërisht sa i takon vijimit të procesit të miratimit të legjislacionit dytësor në zbatim të ligjit për prokurimin publik. Zhvillimin dhe implementimin të kurseve të trajnimit me certifikim për prokurimin publik. Publikimit të raportit të parë të monitorimit për strategjinë e prokurimit publik dhe vendosjen e të dhënave të hapura, Open Data, në kohë reale për procedurat e prokurimit dhe përfshirjen e risqeve të korrupsionit të lidhura me prokurimin në planet e integritetit të institucioneve”, tha ajo.

Balluku shtoi se ky vlerësim bëhet edhe më domethënës në këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë, kur po zhvillohen negociatat me Bashkimin Europian.

Zëvendëskryeministrja Balluku foli për shembuj pozitiv në ekonominë shqiptare që reflektojnë këtë progres, ndërsa u ndal në disa procedura, që sipas saj, tregojnë ecurinë dhe avancimin se si sistemi i prokurimeve ashtu edhe klima e biznesit ka pësuar në Shqipëri në vitet e fundit.

“Do t’i referohem një prej kompanive franceze më të mëdha në fushën e energjisë, ‘Voltalia’, e cila prej vitesh studionte tregun shqiptar duke pasur edhe disa tentativa për pjesëmarrje deri në vitin 2018. ‘Voltalia’, jo një herë, por dy herë ka qenë pjesëmarrëse në ankandet e ndërtimit të parqeve fotovoltaike, pra të energjisë së rinovueshme që është një nga qëllimet kryesore të tranzicionit të gjelbër në Europë dhe me ndihmën e BERZH ne kemi bërë dy procese, transparente të ankandeve të këtyre parqeve fotovoltaike duke pasur si pjesëmarrës disa dhjetëra kompani europiane dhe ndërkombëtare me eksperiencë shumë të qenësishme në fushën e prodhimit të rinovueshëm të energjisë. ‘Voltalia’ ka fituar dy nga këto ankande, duke e rankuar Shqipërinë në listën e vendeve të preferuara nga kompanitë e mëdha, pikërisht për shkak të kritereve që unë përmenda më parë”, u shpreh Balluku.

Ajo foli dhe për dy raste të tjera, “Shell” dhe ENI.

“Dy nga kompanitë e ekselencës europiane për sa i përket naftës dhe gazit. Që të dyja tashmë operojnë në Republikën e Shqipërisë dhe ne presim që në fund të kësaj vjeshte të kemi disa rezultate të shkëlqyera pasi informacioni që kemi marrë është i tillë për sa i përket nxjerrjes që këto dy kompani do të bëjnë në Republikën e Shqipërisë. Kanë ardhur këtu përmes garave konkurruese. Kanë ardhur këtu përmes një negociate shumë të gjatë përsa i përket kontratave të tyre dhe sot, ashtu si ‘Voltalia’, ENI dhe ‘Shell’ janë brande të cilat nderojnë dhe e vendosin Shqipërinë në një stad ndërkombëtar se si kompani të këtij niveli vijnë në vendin tonë, konkurrojnë dhe më pas kthehen në motorë gjenerues të ekonomisë shqiptare’’, tha Balluku.

Në fushën e infrastrukturës, Balluku iu referua procedurës së përzgjedhjes të konsulentit për hartimin e projektit të detajuar inxhinierik për portin e ri tregtar në Porto Romano, dukje e cilësuar si shembull ekselent. Sipas saj, kjo është një vepër, e cila nuk i përket vetëm Shqipërisë, por një vepër inxhinierike që i përket Shqipërisë, Kosovës, edhe Maqedonisë së Veriut, duke qenë se ky port i ri që do të ndërtohet në afërsi të Durrësit do të jetë i lidhur me dy porte të tjera të thata të vendosura në Strugë të Maqedonisë së Veriut dhe në Prishtinë të Kosovës.

“Kemi bërë një garë, e cila me të vërtetë ka qenë një garë model. Ky port do të ketë, sipas të gjitha gjasave, edhe një bazë ushtarake moderne të NATO-s bashkëngjitur, kështu që interesi publik ishte shumë i lartë. Ndaj, gara është zhvilluar totalisht në sytë e publikut, një garë e hapur, ku në fazën finale kanë ndaluar 5 kompani dhe fituesja është një nga kompanitë më të mëdha holandeze në fushën e industrisë detare, që quhet ‘Royal Haskoning’, një tjetër emër që promovon Shqipërinë tonë në mënyrën më të mirë, duke treguar se kushtet e konkurrencës së drejtë, kushtet e qëndrueshmërisë të proceseve, por patjetër edhe kushtet e transparencës e kanë bërë Shqipërinë pra që të presë dhe të akomodojë në zhvillimin e saj ekonomik kompani të këtij niveli’’, deklaroi zv/kryeministrja.

Sipas saj, kjo situatë nuk është e rastësishme, rrjedhim i drejtpërdrejtë i një reforme shumë të thellë që Shqipëria ka ndërmarrë dhe qeveria Rama po zbaton prej vitesh.

“Tashmë vendi ynë ka një legjislacion modern me standarde europiane në fushën e prokurimit publik. Ligji i ri “Për prokurimin publik” i miratuar në vitin 2020, si dhe aktet e tjera nënligjore janë përafruar me 4 direktivat e Bashkimit Europian. Kuadri ligjor pasqyron parimet themelore të traktatit të Bashkimit Europian për transparencën, trajtimin e barabartë, mosdiskriminimin, si dhe vlerën e parasë, ndërkohë padyshim konkurrencën e lirë, njohjen reciproke dhe proporcionalitetin. Sistemi i prokurimit në Shqipëri përfshin mundësi zhvillimi të procedurave të prokurimit në rrugë dixhitale. Shqipëria prej disa kohësh, duke nisur nga viti 2019, qeveria shqiptare, ka vendosur si një nga qëllimet e saj kryesore vizionin e zhvillimit të një sistemi digjitalizimi për ofrimin e shërbimeve publike dhe rasti i Komisionit të Prokurimit Publik është një nga rastet ekselente që ne kemi’’, informoi Balluku.

Ajo bëri të ditur se synimi është që në të ardhmen të përdoret edhe inteligjenca artificiale.

“Sigurisht synimi ynë ka qenë pa dyshim që të rrisim transparencën, që të ulim riskun e korrupsionit dhe shmangien e gabimeve njerëzore të cilat ndodhin në të gjithë sektorët ku operatorët operojnë. Gjatë dy viteve të fundit Komisioni i Prokurimit Publik ka kryer reformën më të thellë të 10 viteve të fundit në digjitalizmin e këtyre shërbimeve. Një analizë e realizuar nga Komisioni Publik tregon se kjo reformë i kursen çdo vit operatorëve ekonomikë mbi 50 mijë euro dhe ajo që është më e rëndësishme, i kursen 6 mijë kilometra rrugë për dorëzimin e dokumenteve. Tashmë gjithçka mund të kryhet online. Në vitin 2023 mbi 50 % e ankimuesve kanë zgjedhur të dorëzojnë ankesat online në krahasim me 40 % që kishim në vitin e kaluar, pra në 2022 duke pasur parasysh që nuk është një detyrim ligjor, pra është një zgjedhje midis dorëzimit dixhital apo dorëzimit fizik’’, tha Balluku.

Më tej, ajo shtoi se sistemi është ndërtuar duke dëgjuar zërin e komunitetit të biznesit dhe unionit të dhomave të tregtisë.

Ndërkohë, shtoi se Komisioni i Prokurimit Publik ka përshpejtuar kohën e shqyrtimit të ankesave për vitin 2022, duke ulur ndjeshëm treguesin e ankesave të shqyrtuara jashtë afatit në drejtim të qëndrueshmërisë dhe vendimmarrjes mjafton të përmend numrin e padive të ngritura në gjykatë për vendimet e Komisionit të Prokurimit Publik gjatë vitit 2022. Ai është më i ulët se numri i padive të ngritura 2 vite më përpara, konkretisht 5.5 % kundrejt 9.8 % që ka qenë në vitin 2020, pra 50 % më pak.

“Për Shqipërinë një sistem i qëndrueshëm dhe transparent i prokurimit publik është një sistem i cili kontribuon direkt në ekonominë e një vendi që ka dëshirë të rritet, që ka dëshirë të akomodohet dhe të trajtohet si një vend i barabartë me të gjitha vendet e tjera europiane’’, u shpreh ajo.