Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se projekti për urën e Bunës do të menaxhohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Sipas saj, projekti për urën e Bunës, do të menaxhohet nga FSHZH. Projekti do të hartohet nga Shqipëria, ndërsa investimi do ndahet mes dy shteteve.

“Kur është folur për vlerën e projektit 9 milionë euro është folur për një projekt jo të hedhur në letër, një dëshirë dhe një kosto e përafërt sipas syrit të ekspertëve në atë kohë. Sot flasim për një projekt të mirëfilltë, projekt fillestar inxhinierik, i cili nxjerr këto kosto që flasim sot. Nuk do t’i referohesha kostove, ne nuk e kemi ende një projekt të maturuar, por një projekt inxhinierik i detajuar që arrin të nxjerrë kosto të mirëfillta duhet ta bëjmë në muajt në vijim”, tha Balluku në një intervistë për ABC News.

Sipas saj, është Shqipëria që do të prodhojë projektin.

“Investimi i urës prej 300 metrash do të ndahet në mënyrë të barabartë mes dy vendeve, siç kanë dakordësuar sot edhe ministrat”, deklaroi Balluku.

Marrëveshja për ndërtimin e Urës së Bunës u nënshkrua sot në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Podgoricë.

Ura do të jetë e kategorisë C1 dhe do të ketë mundësi të përdoret për makinat, për kamionët, për kalimtarët, biçikletat dhe do të ketë dy korsi, gjithashtu edhe pjesën e vendpushimeve dhe të trotuareve.

Ura, që do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi e që do ndërtohet mbi lumin Buna, do të ketë një gjatësi prej 303 metrash. Ajo do të ketë 3 harqe dhe pritet të shkurtojë distancën mes dy vendeve nga 37 kilometra që është aktualisht në vetëm 1 km.

Ulqini dhe Velipoja kanë një largësi vetëm 1 km mes tyre, por nga pikëpamja e ndërlidhshmërisë aktuale kanë 73 km. Me projektin e urës së re distanca mes Shqipërisë dhe Malit të Zi do të shndërrohet në 1 km rrugë.