Vaksinat e prodhuara nga firma belge Janssen, Johnson & Johnson do të shpërndahen në BE duke nisur nga 19 Prilli, dhe kjo do të ndihmojë kontinentin të shpejtojë procesin e vaksinimit. Vaksina u miratua nga rregullatorët e Bashkimit Europian, pas rishikimeve të të dhënave.
BE prej 27 vendesh ka firmosur dokumentin me 200 milionë doza të porositura dhe 200 milionë të tjera në vijim.
Vaksina është e krijuar për tu injektuar vetëm një dozë, ndërsa është më e lehtë për t’u ruajtur në kushte frigoriferike.
EMA dha dritën jeshile për të përdorur vaksinën pasi u panë të dhënat klinike që përfshinin testime tek vullnetarë në Shtetet e Bashkuara, Afrikën e Jugut dhe vendet e Amerikës së Jugut. Vaksina rezulton të jetë 67 % efektive në parandalimin e infektimit nga koronavirusi.
Johnson & Johnson është vaksina e katërt që miratohet për përdorim nga Bashkimi Europian, pas vaksinave nga Pfizer, AstraZeneca/Oxford dhe Moderna.
Vaksina Johnson & Johnson rekomandohet të përdoret për të gjithë personat mbi 18 vjeç.
Studimi ka zbuluar që efektet anësore nga vaksina Johnson & Johnson ishin zakonisht të lehta dhe zhduken brenda dy ditësh pas vaksinimit.
Vaksina është krijuar duke përdorur një virus të parrezikshëm, të modifikuar dhe të quajtur adenovirus, i cili stërvit sistemin imunitar të trupit për të njohur koronavirusin dhe për ta luftuar atë. Nuk është një vaksinë e ARNi si Moderna dhe Pfizer. Është më shumë si një vaksinë tradicionale.
*Tiranapost.al.