Kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko në hapjen e fushatës, i ka bërë thirrje Sali Berishës që të ikë dhe të mos i mbajë më peng demokratët.
Ai e ka konsideruar aleancën e tij me Ilir Metën si tradhti historike.
“Unë e shikoj politikën si mision dhe jo si përfitim. Jam një idealist i pandreqshëm, siç më thotë një miku im. Si mund të pranonim një ‘non grata’ nga Perëndimi. Si mund të pranonim ne që demokratët të përfaqësoheshin nga një socialist si Ilir Meta. Ne nuk mund ta pranonim këtë poshtërim. Grabitqarin politik Ilir Meta, Sali Berisha e ka futur në gjirin e demokratëve. Kjo është tradhti historike, një thikë pas shpine që i ka futur demokratëve dhe Shqipërisë, Sali Berisha. Hiqni dorë nga sulmet mbi Partinë Demokratike. Hiqni dorë nga pengimi i PD në misionin e saj për integrimin e Shqipërisë”, tha Bejko.
“Sali Berisha, hiqi duart dhe lëri demokratët të fitojnë. PD nuk është pronë e juaja. Sali Berisha, e djathta shqiptare nuk ka lindur me ju dhe nuk ka për t’u shkatërruar nga ju. Jep dorëheqjen, i je futur një rruge të pashpresë dhe kërkon të futesh në këtë rrugë gjithë Shqipërinë”, u shpreh Bejko.
Bejko ka pasur edhe një koment për Belind Këlliçin, kandidatin e koalicionit Meta-Berisha.
Duke e quajtur si kandidat i LSI, Bejko tha se, Këlliçi është vënë në dispozicion të politikës antiamerikane.
“E keni dëgjuar ju ndonjëherë Belind Këlliçin të denoncojë ndonjë oligark apo ndonjë kullë?!! Si ka mundësi se bënë ndonjëherë? Është shumë e thjeshtë. Shefat e tij, Ilir Meta dhe Sali Berisha nuk ia lejojnë, sepse i kanë të lidhura interesat me oligarkët e Tiranës dhe Shqipërisë. Belind Këlliçi, me keqardhje e them, është vënë në dispozicion të politikës antiamerikane në Shqipëri. Po përdoret si levë e politikës së vjetër Meta -Berisha. duke përfaqësuar politikën e vjetër 33-vjeçare në Shqipëri . Prandaj, si Belo si Lali janë fotokopje e njeri tjetrit. Nuk ka asnjë dallim midis tyre në qëllimet që kanë për këto zgjedhje. Trinomi Berisha-Meta-Rama janë bashkë dhe kjo s’ka asnjë pikë dyshimi. Nuk mund të ketë jetë politike gjysma e sistemit pa gjysmën tjetër! Dhe interesat lidhen pikërisht tek ndërtimet e Tiranës të Erion Veliajt”, theksoi Bejko.
“Shikoni se çfarë po u bëjnë pronarëve të tokave në Tiranë. Po ja u zhvatin. Në disa raste kemi shpronësime me dhunë. Në disa raste shpronësime jashtë çmimeve të tregut. Vetëm e vetëm që oligarkia politike të qerasë oligarkinë ekonomike që i mban këta në pushtet. E megjithatë, megjithëse kemi përballë kastën e vjetër politike shqiptare dhe interesat e tyre financiare, ne jemi besimplotë në betejën tonë se do t’ia dalim. Sepse do të kërkojmë votën e demokratëve, votën e njerëzve të lirë, votën e atyre që nuk e durojnë dot këtë kastë politike sepse i ka marrë frymën për 33 vite , sepse mbi 70 përqind e qytetarëve shqiptare janë kundra trinomit Rama-Berisha-Meta dhe do të jenë kundra edhe dy çirakëve të tyre Këlliçi dhe Veliaj”, tha Bejko.



























