Përfaqësues të lartë të qeverisë gjermane dhe ruse kanë sinjalizuar synimin e tyre për t’u takuar në fillim të janarit për të diskutuar konfliktin në Ukrainë, njoftoi sot qeveria gjermane.
Jens Ploetner, këshilltar për politikën e jashtme të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe negociatori rus për Ukrainën Dmitri Kozak, gjatë një bisede telefonike të enjten kanë rënë dakord për të zhvilluar një takim.
Gjatë bisedës, Ploetner përsëriti thirrjet gjermane për uljen e tensioneve si në Ukrainë ashtu edhe përgjatë kufirit të saj me Rusinë, ndërsa theksoi nevojën për riangazhimin e palëve në të ashtuquajturin formati Normandi, një seri bisedimesh të ndërmjetësuara franko-gjermane që synon arritjen e paqes në rajonin Donbas të Ukrainës lindore.
Scholz zhvilloi të marten një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, për herë të parë që nga marrja e detyrës ku u diskutua një rikthim në formatin e Normandisë.
Bisedimet katërpalëshe midis Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës kanë nisur që prej fillimit të konfliktit të Ukrainës në vitin 2014. Samiti i fundit u zhvillua në Paris në fund të 2019, megjithëse marrëveshjet e arritura nuk janë zbatuar ende.
Një grumbullim i trupave ushtarake ruse pranë kufirit me Ukrainën ka shkaktuar shqetësim në komunitetin ndërkombëtar prej javësh.
Rusia ka kërkuar garanci për sigurinë nga Perëndimi, të cilat përfshijnë një garanci kategorike nga NATO se Ukraina nuk do të bashkohet me aleancën ushtarake.

























