Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali bëri të ditur sot se projektbuxheti për vitin 2022 fokusohet në 3 shtylla: shërbimin ndaj qytetarëve, digjitalizimin dhe investimet kyçe në infrastrukturë.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Bilali u shpreh se të trija këto shtylla të buxhetit janë të lidhura ngushtësisht me sipërmarrjen.

“Garancia prej 1 miliard lekësh për sipërmarrjen është hapi i duhur për rritjen e zinxhirit të vlerës dhe për të bërë produktet “Made in Albania” një markë konkurruese”, tha Bilali.

Ministrja informoi se për herë të parë, financohen me një fond prej 10 milionë eurosh startup-et.

Lidhur me digjitalizimin, ministrja tha se çdo shërbim që digjitalizohet është kohë dhe para e kursyer për biznesin.

Sipas saj, janë tashmë 1200 shërbime online që i ofrohen biznesit. ”Shqipëria është i vetmi vend në rajon që plotëson listën për shërbimet elektronike dhe statistikat sa i përket qeverisjes digjitale”, u shpreh Bilali.

Bilali theksoi se reforma e digjitalizimit rrit cilësinë e shërbimit ndaj biznesit dhe përmirëson luftën ndaj korrupsionit.