Kombëtarja shqiptare është rikthyer në Shqipëri ditën e djeshme, duke nisur menjëherë përgatitjet stërvitore për sfidën e radhës ndaj Izraelit. Armando Broja dhe Myrto Uzuni, dy sulmuesit kuqezi që nuk kanë qenë në transfertën e Islandës kanë folur këtë të mërkurë në konferencën për media për këtë sfidë të dytë, e vlefshme për Ligën e Kombeve, që do të luhet më 10 qershor në stadiumin “Air Albania”, në ora 20:45.

 

Broja, i cili i është bashkuar Kombëtares në stërvitjen e djeshme konfirmoi gjendjen e mirë dhe është rikuperuar për sfidën e radhës të Shqipërisë ndaj Izraelit. Sulmuesi kuqezi u shpreh se skuadra kuqezi mund të bëjë më shumë, ndërsa dha edhe një mesazh për tifozët kuqezi.

 

Gjendja fizike – Fizikisht jam mirë. Kam pasur Covid në përfundim të sezonit me Southampton, por tanimë jam rikuperuar. Kam bërë stërvitje të personalizuar në Angli këto ditë dhe jam mirë. Pardje erdha, bëra stërvitje me ekipin dje dhe jam mirë.

 

Sa do të ndryshojë skuadra me Brojën dhe Uzunin? – Se di, e bën trajneri ekipin. Unë e pashë ndeshjen nga jashtë dhe kemi luajtur mirë, por mundemi edhe më shumë si ekip. Kundër Izraelit do të jetë edhe më e vështirë, por unë mendoj se do bëjmë maksimumin dhe uroj të marrim 3 pikë.

 

Biseda me trajnerin Reja – Kemi folur me trajnerin kur erdha këtu dhe më pyeti se si jam fizikisht. Në fund të fundit, ai është trajneri dhe ai e zgjedh ekipin. Nëse më zgjedh, do bëj maksimumin, për pjesën tjetër do shohim.

 

Performanca në Angli me ekipin – Unë them se performancat e mia nuk ishin shumë të mira në përfundim të sezonit, po edhe si ekip kemi rënë pak. Nuk është justifikim, por jemi munduar të japim maksimumin.

Presion në futboll – Unë luaj më mirë kur jam titullar sepse kam më shumë minuta në fushë, por është vendim i trajnerit dhe duhet dëgjuar mendimi i tij. Nuk kam presion kur luaj futboll, jam i ri. Për mua futbolli është gjëja më e bukur për mua, kënaqem dhe jap maksimumin.

Mesazhi për tifozët – Falenderoj tifozët për mbështetjen dhe uroj t’ju shoh të gjithëve në ‘’Air Albania’’ kundër Izraelit.