Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi informoi se procesi i votimit ka përfunduar në gjithë territorin, ku janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit dhe komisionerët e qendrave janë duke protokolluar procesin.

Duke folur për përbërjen e komisioneve të qendrave të votimit ditën e sotme, Celibashi bëri të ditur se në 70% të QV-ve kishte anëtarësi të plotë prej 7 anëtarësh, 14% të QV ishin me me 6 anëtarë, 10 % me 5 anëtarë dhe 4% me 4 anëtarë.

“Kemi konstatuar që në 11% të QV-ve janë hasur vështirësi në lidhje me aksesin e qendrës së votimit. Kemi konstatuar që vetëm në 62 QV nga 5213 janë konstatuar shkelje për sa i përket vendosjes së materialeve propagandistike të subjekteve zgjedhore”, tha ai.

Celibashi informoi se ka pasur pezullim në 40 qendra votimi, një numër sipas tij, shumë më i vogël se sa është paraqitur si shqetësim.

“Në 30 QV është raportuar votim në grup apo familjar, në 4 raste votim jashtë dhomës së fshehtësisë dhe në vetëm 10% të QV është votuar në mënyrë manuale”, tha ai.

Duke folur për votimin elektronik, Celibashi informoi se në 2 QV të bashkive ku u votua me sistem elektronik në Elbasan dhe Paskuqan është përdorur vetëm 1 nga 2 makinat, ndërsa  në të gjitha të tjerat procesi ka shkuar shumë mirë.

Celibashi informoi se janë administruar në total 35 denoncime.

Ndërkohë, sipas tij, pjesëmarrja arrin në 34.37% për ato qendra votimi që është raportuar në mënyrë elektronike.

“Janë 3 202 150 zgjedhës që kanë votuar në këto qendra votimi nga 3 650 550 që është numri total i votuesve. Kemi 1094 tentativa për votim të dyfishtë. Janë 585 QV ku mendojmë se është votuar në mënyrë klasike”, shtoi ai.