Këto pamje të çuditshme ndodhën ditën e djeshme në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, kur turma demonstruesish mësyen mbi forcat e rendit dhe hynë në sallën e Parlamentit irakian.
Kriza politike e vendit arriti në pikën e vlimit kur demonstruesit, kryesisht mbështetës të liderit shiit Muqtada al-Sadr, një prej njerëzve më të fuqishëm në vend, sulmuan parlamentin irakian të mërkurën për të protestuar kundër korrupsionit dhe një prej kandidatëve që është në garë për kryeministër.
Protestuesit mbanin portrete të al-Sadr dhe brohoritnin slogane në mbështetje të tij. Ata pastruan parlamentin dhe shkuan në shtëpi pasi ai u kërkoi atyre në Twitter, duke thënë se mesazhi i tyre ishte marrë.
Pse u pushtua parlamenti?
Demonstruesit, që vlerësohet të kenë qenë me qindra, kundërshtojnë emërimin e kandidatit të një aleance rivale të mbështetur nga Irani për kryeministër – Mohammed Shia al-Sudani, një ish-ministër dhe ish-guvernator provincial, është zgjedhja e Kornizës Koordinuese pro-Iranit për kryeministër.
Al-Sadr ka refuzuar kandidaturën e tij.
“Al-Sudani përfaqëson thjesht një justifikim shumë të përshtatshëm për Muqtada al-Sadr që të shprehë pakënaqësinë e tij me të gjithë Kornizën e Koordinimit dhe sistemin politik në Irak”, tha për agjencinë e lajmeve Al Jazeera Marsin Alshamary, një studiues në Shkollën Kennedy të Harvardit. “Ai do ta kishte bërë këtë edhe nëse do të nominohej dikush tjetër. Al-Sudani në fakt përfaqëson një nga figurat më pak të diskutueshme nga Korniza e Koordinimit.
Iraku është një ndër shtetet ku sektet myslimane të shiitëve dhe sunitëve kanë qenë në përballje të vazhdueshme që shpesh herë ka marrë jetë njerëzish sidomos pas rënies së regjimit të Sadam Huseinit.
Ndërkohë ditën e djeshme, misioni i OKB-së në Irak tha se protestuesit kishin të drejtë të demonstronin – për sa kohë që veprimet e tyre mbetën paqësore dhe të ligjshme.



























