Në kuadër të mbledhjes së dytë të përbashkët midis qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Malit të Zi u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi.

Mes marrëveshjeve është edhe ajo për për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë – Pulaj në territorin e Shqipërisë, që u nënshkruar nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazovic.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi thekson se hapja e kësaj pike të përbashkët të kalimit kufitar, i jep një frymëmarrje të re qarkullimit mes dy vendeve tona dhe zhvillimit të turizmit.

Çuçi nënvizon se hapja e kësaj pike krijon përfitime edhe për banorët e fshatrave përreth lumit Buna, zonës së Nënshkodrës, Malësisë së Krajës, Ulqinit etj.

Sipas tij, shkurtohet distanca dhe ulet fluksi i lartë që shënohen kryesisht gjatë sezonit të verës në Muriqan.

Gjithashtu, ministri thekson se ngritja e kësaj pike të përbashkët kalimi është e ndërthurur me projektin tonë të madh për urën mbi Bunë, vepër që do të lidhë më shpejt Velipojën dhe Ulqinin, si dhe i jep një dimension krejt të ri zhvillimit të turizmit në rajon.