“Me ecurinë që ka bërë Shqipëria, Danimarka është gati të votojë për fillimin e negociatave”, është mesazhi që vjen nga takimet që Kryenegociatori i Shqipërisë për integrimin në BE, ambasadori Zef Mazi, po zhvillon në shtetin danez për të prezantuar arritjet dhe progresin e Shqipërisë gjatë vitit të fundit.

Gjatë ditës së sotme, Mazi zhvilloi një takim kortezie me ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Jeppe Kofod, si dhe zhvilloi bisedime të gjata me Sekretarin e Shtetit për Evropën, Carsten Grønbech-Jensen.

Sekretari i Shtetit të Danimarkës, Jensen theksoi se raporti “Shqipëria 2021” ishte raporti më i mirë ndër vite për Shqipërinë por dhe më pozitivi ndër vendet e Ballkanit Perëndimor për këtë vit.

Ai vlerësoi qëndrimet e Shqipërisë për raportin dhe të gjithë informacionet që iu prezantuan nga Kryenegociatori.

Jensen theksoi se Danimarka i përmbahet parimit të qëndrimeve strikte dhe të drejta.

Danimarka vlerëson raportin dhe, duke iu referuar kritereve të cilave i përmbahet, vë në dukje se Konferenca e parë Ndërqeveritare është vetëm fillimi i negociatave teknike.

Kryenegociatori Mazi paraqiti një pasqyrë të plotësimit të të gjithë kërkesave të Këshillit Evropian për mbajtjen e Konferencës të Parë Ndërqeveritare, tashmë konfirmuar institucionalisht nga KE.

Ai u ndal më tej në pikat kyçe të progresraportit për Shqipërinë.

Kryenegociatori bëri vlerësimet për raportin duke theksuar se rekomandimet e raportit janë mjaft ndihmuese në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Gjithashtu, kryenegociatori nënvizoi angazhimin dhe vendosmërinë e plotë të Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare për të vijuar në rrugën e reformave pa ulur ritmin.

Gjatë takimit, u shënua rëndësia e mbajtjes së Konferencës të Parë brenda Presidencës sllovene. Ekzistojnë mundësi që një ngërç aktual të mund të marrë zgjidhje sa të mos pengojë procesin e zgjerimit.

Takimi pati fokus dhe në “track record-in” e organeve ligjzbatuese. Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari bëri një prezantim të hollësishëm dhe gjithëpërfshirës të rezultateve që janë arritur në tërë veprimtaritë e policisë dhe organeve zbatuese të ligjit. Ai gjithashtu, theksoi se bashkëpunimet operative bilaterale janë gjithnjë e më të ngushta me vendet e BE-së, por dhe operacionet shumëpalëshe, si EUROPOL.

Sekretari danez i Shtetit, Jensen falënderoi për informacionet e detajuara që iu dhanë si dhe përgëzoi për arritjet mbresëlënëse të policisë dhe veprimtarinë e organeve të zbatimit të ligjit. Takimi u mbyll me gatishmërinë e plotë për forcimin e marrëdhënieve konkrete dypalëshe me Danimarkën në fushën e zbatimit të ligjit.