Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Këshillit të Investimeve për të diskutuar mbi e-shërbimet dhe përdorimin e tyre nga bizneset në vend.

Ekonomi priti në takim Diana Lekën, drejtore e Sekretariatit dhe Elvis Zervën, ekspert ligjor dhe rregullator në Këshillin e Investimeve.

“Sekretariati është angazhuar drejtpërdrejt me komunitetin e biznesit që të mbështesë diskutimet mbi çështjet e ngritura prej tyre në Këshillin e Investimeve me punë kërkimore, analitike dhe të paanshme”, u shpreh Ekonomi.

Ajo bëri të ditur se, për të orientuar më mirë analizën, Këshilli i Investimeve ka diskutuar edhe me ekspertë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit.