Eksportet shqiptare u rritën me gati 28% më shumë gjatë 9-mujorit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Vetëm në shtator, vlera e mallrave të eksportuara jashtë arriti në 39 miliardë lekë, gati 333 milionë euro.
Ndërsa rritjen më të madhe këtë periudhë e kanë shënuar eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë si dhe materialet e ndërtimit e metalet.
Italia veçanërisht që është edhe partneri kryesor tregtar, Kosova dhe Gjermania janë edhe vendet drejt të cilave eksportet shqiptare kanë parë rritjen më të madhe, ndërsa janë ulur ndjeshëm ato drejt Spanjës me mbi 15%.
Trend të fortë rritje kanë shfaqur edhe importet nxitur së tepërmi edhe nga shtrenjtimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Vlera e mallrave të importuara arriti në 695 miliardë lekë, gati 139 miliardë lekë më shumë se një vit më parë kryesisht nga rritja e importeve të mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike.
Zgjerimi i konsiderueshëm i importeve ka bërë që bilanci tregtar të thellohet më tej në 329 miliardë lekë në fund të shtatorit.


























