Në lagjen “Kala” të Elbasanit u dorëzuan sot certifikatat e pronësisë, pas përfundimit të procesit të regjistrimit fillestar që përkon me zonën kadastrale 8524 të qytetit.

Në ndarjen e certifikatave ishin të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, njëherësh drejtues politik i qarkut Elbasan, Damian Gjiknuri, drejtori i përgjithshëm të Kadastrës, Artan Lame dhe kryetari i bashkisë, Gledian Llatja.

Gjiknuri tha në fjalën e tij se “nga ky proces do përfitojnë mbi 7700 pasuri, të cilat certifikohen dhe marrin dokumentin e pronësisë. Kjo falë vëmendjes së qeverisë e cila, me miratimin e ligjit në vitin 2020, hapi rrugën e procesit të legalizimit edhe për banesat e ndërtuara para viteve ’90”.

Gjiknuri bëri të ditur se “me Ministrinë e Kulturës dhe qeverinë po negociojmë për alokimin e një granti, me qëllim rinovimin e shtëpive të vjetra të cilat mbartin vlera historike, duke e bërë edhe më atraktiv qytetin e Elbasanit për vizitorët e shumtë vendas dhe të huaj”.