Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan z. Ardian Çipa, në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë Elbasan z. Gledjan Llatja, përfaqësues të Prefekturës Elbasan, përfaqësues të institucioneve të tjera dhe kryepleqtë e fshatrave të qarkut Elbasan, zhvilluan një takim sensibilizues në ambientet e teatrit “Skampa”, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Në këtë takim u fol për bashkëpunimin midis institucioneve dhe për marrjen e masave të shtuara, krahas masave që janë marrë për minimizimin, deri në zhdukje, të fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike, në territorin e qarkut Elbasan.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i DVP Elbasan, z. Ardian Çipa, ndër të tjera u shpreh: “ Duke u nisur nga angazhimi i forcave të Policisë, por jo vetëm, si dhe nga bashkëpunimi me Prokurorinë, jam shpresëplotë dhe i bindur se do të kemi rezultate në parandalimin e fenomenit në tërësi, si dhe në goditjen e rasteve specifike për përhapjen e tyre edhe më gjerë, nisur nga tendencat e fundit për kultivimin e bimëve narkotike, në ambiente të hapura e të mbyllura.”
Kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja u shpreh: “Përgëzoj shërbimet e DVP Elbasan, për punën e tyre, duke ngritur ura komunikimi dhe bashkëpunimi edhe në zonat më të thella rurale, pasi Policia është forca në vijë të parë të frontit në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe jo vetëm.”.
Cikli i takimeve midis DVP Elbasan dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese do të vijojë, me synim sensibilizimin dhe parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në ambiente të hapura dhe të mbylluara.




























