Nënkryetari i Partisë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar  Enkelejd Alibeaj do të drejtojë Partinë Demokratike në periudhë tranzitore.

Përmes një njoftimi zyrtar sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi deklaroi se, “pasi jam njohur me deklaratën e Kryetarit të Partisë Lulzim Basha se ka vendosur të hedhë një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD për të ndihmuar në ringritjen e PD, kam thirrur në një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën Nënkryetarët e Partisë Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj, si dhe Kryetaren e Këshillit Kombëtar të PD Arta Sakja. Në mbështetje të Statutit të Partisë dhe për të mos krijuar asnjë vakuum në drejtimin e Partisë në këtë moment të vështirë dhe specifik, kam konsultuar të dy nënkryetarët me qëllim paraqitjen për zgjedhjen menjëherë nga Këshilli Kombëtar të komandimit të njërit prej tyre për drejtimin e Partisë”.

“Në takim kam marrë konfirmimin e Nënkryetares Tabaku se heq dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë. Për pasojë, në përputhje me nenit 46 të Statutit, drejtimi i partisë në këtë periudhë tranzitore, deri në vendimmarrjen e institucioneve të partisë, do të behet nga Nënkryetari i Partisë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj”, thekson ai.