Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, mori pjesë sot në përurimin e restaurimit të Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë së bashku me kryeministrin Edi Rama

Në fjalën e tij presidenti Erdogan falënderoi të gjithë ata që merrnin pjesë në përurim.

“Ju falenderoj gjithsecilin nga ju, për durimin, për besën, pritjen që na keni bërë deri më tani. E di që keni ardhur nga Shkupi, e di që keni ardhur nga Shkodra. Keni pritur me orë të tëra dhe sot këtu në Shqipëri jemi duke përjetuar një ditë shumë speciale dhe të veçantë, plot emocione. Janë vëllezërit e mi që kanë ardhur edhe nga Kosova, dua t’i falenderoj e t’i përcjell përshëndetjet e mia më të përzemërta”, tha Erdogan.

“Po ndajmë në të njëjtën kohë lumturinë, kënaqësinë e inaugurimit e të hapjes së këtyre veprave të restauruara nga TIKA. Sot në mëngjes ishim në Laç dhe bëmë dorëzimin e banesave të tërmetit, që ishte investim i Turqisë. Ndjemë kënaqësi kur pamë se ishin shëruar plagët e shkaktuara nga tërmeti i 21 shtatorit dhe 26 nëntorit të 2019 dhe me këtë rast, shpreh ngushëllimet e mia dhe lus Zotin e gjithësisë që të mëshirojë shpirtrat e atyre që ranë në tërmet. Realisht, jam ndjerë shumë i lumtur sot kur pashë që po dorëzoheshin familjeve të prekura nga tërmeti, 522 banesa dhe gjatë asaj periudhe kam qenë vazhdimisht në kontakt me zotin Kryeministër, mikun tim, dhe në fund arritëm që të finalizojmë këto vepra”, u shpreh Erdogan.

“Pak më parë isha në Kuvendin e Shqipërisë ku mbajta dhe fjalimin e radhës përpara deputetëve të Kuvendit e njëkohësisht përfaqësuesve tuaj dhe përsëri jemi këtu, për të ndarë këtë kënaqësi të veçantë, mbase dhe shumë speciale, sepse po hapim një nga veprat më madhështore mu në qendër të Tiranës, me donacion nga Turqia e kryesisht me restaurim nga kontributet e TIKA. Kjo vepër xhevahire në mes të Tiranës, reflekton kulturën, vlerat e përbashkëta kulturore të Shqipërisë dhe Turqisë”, u shpreh Erdogan.

“Lavdi Zotit të gjithësisë që sot kjo vepër unike, e cila na paraqet një kuptim shumë të imët e të hollë të artit që është përdorur në të, në stilin më të përhapur në Ballkan, me stoli shumëngjyrëshe të pikturuara me dorë, është ndër strukturat më të dalluara që mbartin metodat e periudhës osmane e deri në ditët e sotme. Është një vepër kryesisht që na pasqyron, na reflekton nga brezat traditën e arkitekturës e të metodave që janë përdorur gjatë ndërtimit të kësaj xhamie deri në ditët e sotme e shpresoj që kjo të pasohet dhe për brezat e ardhshëm. Besoj se xhamia jonë, e Et’hem Beut, përveç se gjatë ditës, reflekton një bukuri tjetër në mes të Tiranës, por tashmë dhe me ndriçimin e jashtëm të saj që është instaluar, do të japi një pamje fantastike e shumë magjepsëse për këdo që e sheh këtë xhami, kështu që ne si Turqi, i japim përparësi përmes TIKA-s, mirëmbajtjes së këtyre monumenteve kulturore dhe njëkohësisht kontribuojmë në zhvillimin e Shqipërisë. Nëpërmjet kanalit financues të TIKA-s nga vitit 1996 e deri më tani, janë realizuar 546 vepra konkrete dhe shpresoj, dëshiroj me zemër që tani e tutje të vijojmë t’u qëndrojmë pranë vëllezërve tanë shqiptarë. Uroj dhe dëshiroj që shumë shpejt, mbase deri në muajin e Ramazanit, ta kemi zgjidhur dhe problemin e xhamisë së Namazgjasë”, u shpreh Erdogan.

“Duke e ditur se Shqipëria është një aleate, një mike e ngushtë dhe e sinqertë e Turqisë në krahasim e në raport me vendet e Ballkanit, për sa kohë ky bashkëpunim kaq i ngushtë do vazhdojë mes nesh, nuk ka asnjë lloj problemi, asnjë lloj sikleti që nuk mund ta zgjidhim. Sëbashku me mikun tim, me kryeministrin e Shqipërisë, për sa kohë do vijojmë kështu krah më krah e me këtë lloj bashkëpunimi kaq të ngushtë, do keni akoma vepra të tilla që do realizohen, do finalizohen e do vihen në shërbimin tuaj”, tha Erdogan.

“I ndodhur brenda këtyre ndjenjave e këtyre mendimeve, në përfundim të fjalës sime, me rastin e kësaj ceremonie për inaugurimin dhe hapjen e xhamisë së Et’hem Beut, uroj, dëshiroj nga zemra që të jetë e dobishme, t’ju sjelli dobi, qoftë e hajrit për ju dhe e gëzofshi”, u shpreh Erdogan.