Ish-Presidenti Bujar Nishani u përcoll sot për në banesën e fundit me ceremoni shtetërore, pasi u nda nga jeta në moshën 56-vjeçare për shkak të një sëmundje të rëndë.
Në homazhet që u mbajtën në Presidencë, morën pjesë familjarë, të afërm, qytetarë dhe personalitete të larta politike jo vetëm nga vendi por edhe nga rajoni.
Gazetari dhe drejtuesi i emisionit Opinion, Blendi Fevziu, ka treguar një moment të trishtë në homazhet për Nishanin.
I ftuar në studion e Klan Neës me gazetaren Mirela Milori, Fevziu tha se i bënë përshtypje eksponentët e Partisë Demokratike, të cilët edhe në një situatë si kjo e sotmja qëndronin të ndarë në 3 grupe.
“Pata rastin të asistoj në një prej atyre shfaqjeve më pikëlluese që mund të gjesh në karrierën politike të një partie. Qëlloi që të isha në homazhet për Presidentin Nishani dhe u ktheva në hotel Rogner. Dhe vura re që opozita ishte e ndarë në 3 grupime që pinin kafe. Kjo pjesa që vazhdon të jetë Alibeaj-Bardhi, pak më tutje ishin mbështetësit e Berishës, në anën tjetër ishin disa njerëz që nuk kanë asnjë lloj, që nuk janë as me njërin as me tjetrin. Imagjino një opozitë që nuk i fliste me gojë njëri-tjetrit. Dhe kjo tregon që problemi brenda opozitës është shumë më i thellë.
Në qoftë se opozita nuk ka kurajën që përpara një arkëmorti të flasin dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, qoftë dhe për të nderuar një njeri që ka qenë pjesë e përbashkët e gjithë atyre, që ka qenë njeriu që të gjithë bashkë e çuan për t’i prezantuar si President të Republikës, është shumë e trishtë të shikosh nga ajo parti. Ishte një moment që isha gati t’ju thoja po nuk keni turp, po çohuni dhe shkoni bëhuni bashkë të paktën për të nderuar një të vdekur. Sepse nuk është korrekte, mirë sa jeni gjallë do grindeni e do i “nxirrni sytë” njëri-tjetrit, po përpara një arkëmorti shkon të paktën të jeni të bashkuar. As këtë nuk e bënin dot”, u shpreh Blendi Fevziu. /tvklan.al


























