Elbasani vijon transformimin falë projekteve të rëndësishme infrastruktutore të Bashkisë në bashkëpunim me qeverisë. Nga Rajoni 5, lagjja “5 maji”, Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja u shpreh se qytetarët e Elbasanit janë dëshmitarë të investimeve në këto 4 vite. “Unë kam qenë dëshmitar vetë që në këtë lagje është ndërhyrë, janë bërë investime që s’janë bërë ndër vite, do të thotë që Gledi e ka justifikuar me punën e tij. E dyta, për bashkinë është shumë e rëndësishme që ta mbajmë lidhur binomin bashki – qeveri. Për ujësjellës – kanalizime janë 15 milion euro të tjera që do hidhen këtu, për spitalin e Elbasanit, poliklinika, shkollat e reja, i mbulon qeveria. Prandaj çimentimi i lidhjes bashki – qeveri është i rëndësishëm”, tha ai.
Gjiknuri deklaroi se opozita kërkon që të bunkerizojë qytetin e Elbasanit për ta përdorur për arsye politike. “Në momentin që bashkitë kalojnë në krahun kundërshtar zakonisht ‘bunkerizohen’, ndërpresin çdo marrëdhënie me pushtetin qendror. E thonë vetë ata, 14 maji është stacioni që do bëjmë përmbysjen e madhe. Do marrim disa bashki kryesore dhe pastaj ne do përmbysim qeverinë. Shtrohet pyetja, ju intereson qytetarëve të Elbasanit ndryshimi i pushtetit në bashki dhe të lërë në mes të gjithë këto projekte që kanë filluar? Unë them jo. Sepse këtu kanë filluar disa gjëra të mëdha që do ta bëjnë Elbasanin një qendër të rëndësishme zhvillimi. Prandaj lidhja bashki – qeveri, pushtet vendor – pushtet lokal në dorë të Partisë Socialiste është shumë e rëndësishme”, tha numri dy i socialistëve.
Drejtuesi politik i qarkut, u shpreh se alternativa përballë është provuar se dhe kur ka pasur pushtetin, nuk ka bërë asnjë punë. Ai shtoi se 14 maji do të shënojë dhe daljen në pension të Boçit, Metës dhe Berishës. “Alternativë kundërshtare s’kemi. Alternativa është boshe, mashtruese, madje për mua është alternativë e ricikluar. Është një gjë që e kanë provuar qytetarët e Elbasanit. Ata sa herë fusin dorën për zgjedhjet e Elbasanit tre emra gjejnë, Luçiano me dy të tjerë. Po të rrotullohesh në opozitën e Elbasanit tre emra ka. Tani këta janë njerëz të provuar sidomos ky kandidati që ka ardhur që është kandidat i vjetër. Ka qenë në 2007-ën, ka qenë kryetar PD-je, ka qenë deputet, pushtetar. Ai është i zgjedhuri i Ilir Metës dhe Sali Berishës në Elbasan. Për këtë e kanë sjellë për punët e tyre. Shihni fletën e votimit ‘Bashkimi për Fitore’ – Ilir Meta alias Luçiano Boçi. Këta përfaqëson ai. Kur ulet tek thotë s’kam gjë unë, unë njësoj si ju jam. Ama politikisht është përfaqësues i tyre dhe ata do e diktojnë politikën. Siç kemi ne përfaqësuesit tanë ai ka përfaqësuesit e tyre. Qytetarët e Elbasanit do t’i japin çmimin që meriton politikisht. Prandaj them që në 14 maj këtë do ta nxjerrim në pension politik”, tha Gjiknuri.
Sekretari i Përgjithshëm i PS nënvizoi se 14 maji është dhe vlerësim për politikat e qeverisë, sikurse janë rritja e pagave dhe e pensioneve. “Rritja e rrogës në administratën shtetërore, për mjekët, për infermierët, për mësuesit, për të gjithë zyrtarët ka një qëllim të rëndësishëm. Jo vetëm të përmirësojë shërbimet publike dhe të kemi njerëz më cilësorë por është garanci për të ardhmen për djemtë dhe vajzat tuaja për të bërë karrierë dhe për ta ndërtuar jetën këtu. Vitin tjetër ta bëjmë pagën mesatare 900 euro në vit. Paga e rritur në sektorin publik do të ndikojë dhe në sektorin privat”, deklaroi Gjiknuri.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi, njëherësh dhe deputete e Elbasanit siguroi se Gledi dhe Partia Socialiste janë garancia për ecur përpara. “Kane mbetur vetëm 12 ditë nga 14 maji, por fushata jonë nuk do të mbarojë në 14 Maj, përkundrazi puna jonë fillon më 14 Maj për të mbajtur të gjitha premtimet dhe për të zhvilluar të gjitha angazhimet dhe projektet tona sepse ne jemi forca politike që nuk punojmë vetëm në fushatë, ne jemi ajo forcë politike që jemi gjithmonë bashkë me njerëzit për njerëzit. Ne sot vijmë edhe për të marrë angazhime të reja që siç i kemi bërë ato punë, siç I ka bërë Gledi dhe Partia Socialiste të vazhdojmë të ecim përpara. Sepse zgjedhja është ose të ecim përpara me PS dhe me Gledin, me projektet që janë në proces, me projektet e reja, me vizionin e Elbasanit 2030 ose të kthehemi mbrapa me ata që e duan bashkinë për interest e tyre”, tha Kushi.
Kreu i Bashkisë Gledian Llatja premtoi se këtë mandat të ri do të bëhen 4 herë më shumë punë të mira për të krijuar një perspektivë të qartë zhvillimi ekonomik për Elbasanin. “Këtë 4 vjeçar ne kemi qenë bashkë për të bërë punë të mira. Një lagje e re e ndërtuar totalisht, një pjesë e madhe e saj, nga fillimi, me shumë probleme të urbanizimit. Ne po bëhëmi gati këtë mandat të ndërtojmë 5 çerdhe të reja, njëra prej të cilave është këtu. Do të ndërtojmë 4 qëndra shëndetësore të reja si bashki, këtë mandat do të ndërtojmë edhe tek “5 maji” një qëndër shëndetësore të re. Kemi një mbështetje të madhe të qeverisë shqiptare. Kemi shtuar 7 mijë metra2 për infrastrukturat tona shkollore. Kemi bërë 100 mije m2 asfalt në vit. Deri sot kemi shtru 385 mijë m2 asfalt në Elbasan. Kemi rehabilituar mbi 10 mijë m2 lulishte, kemi mbjellë 100 mijë pemë, në Krastë, në Gjinar, në Funarë, lulishtet tona, zonat tona informale, buzë lumit Shkumbin. Këtë mandat do të bëjmë 4 herë më shumë punë seç kemi bërë, dhe do krijojmë një perspektivë të qartë të zhvillimit tonë ekonomik”, deklaroi kryebashkiaku Llatja.



























