Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, njëherësh drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Elbasanit, Damian Gjiknuri, mori pjesë sot në punimet e konferencës së organizuar nga Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar me Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, mbi tolerancën dhe harmoninë fetare në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Gjiknuri vlerësoi se “ajo që prezanton kjo konferencë është mesazhi që dëshiron të dëgjojë çdo shqiptar, toleranca”.

“Shqipëria është një vend me disa fe dhe kjo është vlerë. Shpesh disa vende e kanë marrë këtë si mallkim pasi janë futur në konflikte sociale dhe kanë shkatërruar breza të tërë me luftëra të pakuptimta. Në Shqipëri është e kundërta sepse shqiptarët e kanë në themel të shpirtit të tyre tolerancën dhe bashkëjetesën”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, “diversiteti fetar është pasuria më e madhe që ka ky vend”.

“Kjo është një nga arritjet që ne shqiptarët na bëjnë shumë krenarë. Brenda çdo feje ka mesazhe paqeje, progresi dhe aty inspirohet njeriu për të bërë gjëra të mira për vendin e tij. Nuk ka gjë të suksesshme sot në botë, nëse nuk bazohet te parimet e mirësisë. Ndaj sa më shumë të shikojmë filozofitë fetare të cilësdo feje qoftë, aq më shumë do të gjejmë frymëzim për të mirën e përgjithshme”, tha Gjiknuri.

Toleranca dhe bashkëjetesa fetare, sipas tij, “janë pasuri kombëtare që duhen promovuar, pasi pak vende e kanë këtë harmoni”.