Punimet në rrugën me gjatësi 4 kilometër të njësisë administrative “Skënderbegas”, në Gramsh janë drejt përfundimit. Pas lotit të I dhe të II së shpejti fillojmë punimet për lotin e III për ta përmbyllur plotësisht këtë investim që u shërben qytetarëve të Gramshit.
Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan bashkë me kryetarin e bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe dhe deputetin e zonës Besian Ajazi inspektuan punimet të cilat po ecin me ritëm të lartë.
Gjiknuri u shpreh se transformimi i infrastrukturës në zonën e Gramshit nën qeverisjen socialiste këto 9 vitet e fundit është i dukshëm.
“E kam filluar si deputet në këtë zonë dhe e di shumë mirë sesi ka qenë gjendja në këtë rrugë. Gramshi nuk ka pasur infrastrukturë deri në vitin 2013. Gjatë këtyre viteve të qeverisjes së Partisë Socialiste ndryshimet janë të dukshme. Gramshi është transformuar, me rrugën që lidh Gramshin me Banjën dhe Elbasanin, që nuk do mendohej se do ishte, por për shkak të interesit të qeverisë shqiptare u investuan mbi 50 milion euro për ta bërë të mundur atë rrugë”, theksoi ai.
Gjiknuri nënvizoi se qeveria i kushton një vëmendje të shtuar dhe investimeve në zonat rurale. Teksa siguroi dhe për përfundimin e projekteve të nisura, Gjiknuri u shpreh se investimet do të vijojnë dhe në vepra të tjera infrastrukturore.
“Sot kanë përfunduar dy lote të rrugës dhe së shpejti do përfundojë edhe loti i 3. Zona e “Skënderbegasit” është një zonë që ka prodhimtari, sidomos në frutikulturë. Nga kjo pikëpamje, impakti ekonomik do të jetë shumë i madh dhe është bërë dhe ujësjellësi”, deklaroi Gjiknuri.
Kryetari i bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe u shpreh se rruga i shërben jo vetëm zonës së “Skënderbegasit”, por e lidh atë dhe me Skraparin. “Fshatrat e Skraparit të gjitha shërbimet i marrin në Gramsh. Ky është loti i dytë. Përveç rrugës kemi ndërtuar edhe rrjetin e ujësjellësit”, nënvizoi Taçe.
Deputeti Besian Ajazi deklaroi se rruga e re u vjen në ndihmë dhe fermerëve të zonës për të shitur prodhimet e tyre. Ai theksoi se një investim i shtuar i zonës është dhe rrjeti i ri energjetik.
“Kanë mbetur edhe 5-6 kilometra për të përfunduar e gjitha. Përveç lëvizjes së banorëve kjo rrugë shërben edhe për transportimin e mallrave të fermerëve të cilat i tregtojnë prodhimet e tyre në qytet. Është pa diskutim një investim i shtuar për zonën edhe rrjeti elektrik”, tha deputet Ajazi.




























