Papa Françesku ka bërë një deklaratë të fortë ku është shprehur se mbijetoi pavarësisht se e donin të vdekur, raporton Reuters.

Sipas Papës, kanë qenë persona konkret ata që e kanë dashur më së shumti vdekjen e tij për përfitime të tyret, por sipas tij ata dështuan në dëshirat e tyre.

“Jam ende gjallë. Pavarësisht se disa më donin të vdekur”. Francesk befasoi me deklaratën e tij gjatë takimit me disa priftërinj jezuitë në Sllovaki, të cilën e vizitoi së fundi.

“ I di dhe kush janë ata persona; mendonin se kushtet e mia shëndetësore ishin më të rënda nga sa u ishte raportuar dhe po uronin vdekjen time. Madje po përgatisnin dhe Konklavën. Por falë Zotit jam mirë.

Ajo ndërhyrje kirurgjikale nuk ishte vendim që doja ta merrja, një infermiere më bindi. Ndonjëherë infermierët e kuptojnë më mirë situatën sesa mjekët, sepse kanë kontaktet direkte me pacientët”, është shprehur Ati i Shenjtë.

Në korrik, kreu i Kishës Katolike iu nënshtrua operacionit për një problem në zorrën e trashë. Këtë muaj sakaq, Papa vizitoi Sllovakinë e Hungarinë, të parat lëvizje të tij jashtë kufijve qe prej ndërhyrjes kirurgjikale. Gjatë këtyre ndalesave, ai e cilësoi pandeminë si “testin më të madh të kohës sonë”.