“Secili prej jush ka mundësi ta ndryshojë botën”. Me këtë mesazh i është drejtuar kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të rinjve të pranishëm në pallatin e Kongreseve në eventin e hapjes zyrtare të aktiviteteve të Tirana European Youth Capital.

“A mund ta ndryshoni shkollën tuaj? A mund ta ndryshoni klasën tuaj, veten tuaj? Sepse një njeri që ndryshon veten mund të ndryshojë një klasë, e një njeri që ndryshon një klasë ndryshon një shkollë, e një njeri që ndryshon një shkollë ndryshon një qytet, një njeri që ndryshon një qytet ndryshon një komb, një njeri që ndryshon një komb mund të ndryshojë një kontinent dhe një njeri që ndryshon një kontinent mund të ndryshojë botën. Ti mund të ndryshosh botën! Edhe ti mund ta ndryshosh botën. Secili prej jush ka fuqinë dhe energjinë ta ndryshojë botën”, tha ai.

Veliaj u shpreh se, ky është viti i Tiranës, por edhe i gjithë të rinjve.

“Ky është momenti ynë, kjo është koha jonë, kjo është dita jonë dhe ky është viti ynë, si Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Kemi punuar shumë për këtë ditë dhe jam sot i përulur, jam sot me gjithë respekt, me gjithë dashuri, me gjithë falënderime për qindra çuna e goca që kanë punuar për tre vite që sot Tirana të ishte Kryeqytet Evropian i Rinisë. Ju them me gjithë zemër: Faleminderit! Një mikpritje tironse të gjithë atyre që na kanë ardhur sot nga shumë vende të botës, atyre që na kanë ardhur nga Anglia, Italia, Franca, nga Greqia, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. Nëse ju kam harruar, ju duam shumë. Welcome to Tirana!”, përshëndeti në fjalën e tij kreu i bashkisë.

Viti i cili ka në qendër rininë dhe e kthen Tiranën në epiqendrën e rinisë evropiane u cilësua nga kryebashkiaku si shansi më i madh i Shqipërisë dhe i Tiranës.

“Sot, – tha ai, – kemi një shans, kemi një instrument në dorë që quhet Kryeqyteti Evropian i Rinisë dhe ne shqiptarët e dimë si t’i përballojmë sfidat. Ne rrëzohemi, por edhe ngrihemi shpejt bashkë. Ne kemi pasur dy vite të vështira edhe me tërmetin, edhe me pandeminë, por në momentet më të vështira ne kuptuam që kishim çuna e goca që trokitën në çdo derë me një kuti ushqimesh, me një kuti ilaçesh, me një telefonatë, një nevojë për ndihmë. Ndaj, miqtë e mi, kur kaluam këto histori të vështira si tërmeti dhe pandemia, imagjinoni çfarë mund të bëjmë në këtë vit, kur pandemia po shkon drejt fundit, ku pasojat e tërmetit po zgjidhen dhe kemi një mundësi që të festojmë dhe të punojmë si Kryeqyteti Europian i Rinisë”.

Ndërsa Drejtoresha e Përgjithshme e Vodafone Albania, e cila përshëndeti eventin, u shpreh se, “Vodafone Albania gjithmonë ka qenë afër të rinjve, duke vënë në dispozicion fjalën më të fundit në teknologjinë e ndërlidhjes dhe fuqinë digjitale, për të lidhur të rinjtë. Faleminderit që na jepni mundësinë për të bashkëpunuar dhe investuar në programe që fuqizojnë të rinjtë në këtë vend, në edukimin digjital, teknologji dhe përfshirjen digjitale. Do të na keni në krah gjatë këtij rrugëtimi të “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2022”, krahas rinisë së mrekullueshme të këtij vendi, në rrugëtimin drejt një Shqipërie premtuese”.

Bashkia e Tiranës çeli zyrtarisht siparin e aktiviteteve të vitit 2022 ku Tirana është shpallur Kryeqyteti Evropian i Rinisë.

Në një ceremoni të posaçme me qindra të rinj që do jenë pjesë e eventeve të “Tirana European Youth Capital 2022” u shpalos programi dhe risitë që do të sjellë në Tiranë ky titull që jepet pikërisht në një vit të shpallur edhe nga KE si viti i Rinisë!

Drejtoresha ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci, në çelje të këtij eventi theksoi se ka pasur një boom aplikimesh nga të rinjtë për aktivitete gjatë këtij viti. “Morëm 1100 aplikime nga të rinj nga i gjithë vendi. Të gjitha do kthehen në një kalendar shumëngjyrësh aktivitetesh dhe mundësish,” u shpreh Peci.

Ndërsa Aspasjana Kongo, Koordinatore e Përgjithshme TEYC 2022, u shpreh se, ky titull për Tiranën ka thyer 3 rekorde. “Tirana e ka marrë titullin si Kryeqyteti Evropian i Rinisë që në aplikim. Rekordi i dytë është sepse për herë të parë këtë titull e merr një kryeqytet dhe së treti, ky program ka një shtrirje në të gjithë territorin e vendit,” bëri të ditur Kongo