Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj si dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bruce Berton vizituan sot në Shkodër, një prej dymbëdhjetë zyrave zgjedhore të hapura nga Kuvendi, në 12 qarqet e vendit.

Sekretari Gjonçaj në fjalën e tij theksoi rolin e domosdoshëm që kanë zyrat zgjedhore si qelizat bazë për të krijuar sinergjitë e duhura ndërmjet Kuvendit dhe zgjedhësve.

“Është e rëndësishme në demokraci kuptimi i fjalës që, Parlamenti është shtëpia e popullit dhe duhet t’i shërbejë atij me urat lidhëse, që janë zyrat zgjedhore të hapura nga Kuvendi. Një rol të pazëvendësueshëm për më shumë se një dekadë merr dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me Prezencën e OSBE-së në mbështetjen e planifikuar për këtë proces”, tha ai.

Duke synuar në të ardhmen e afërt zgjerimin e përfaqësimit të këtyre zyrave edhe në bashki të tjera, Gjonçaj siguroi specialistët e zyrave që mbështetja e shërbimeve të Kuvendit do të jetë e vazhdueshme për ta.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori Berton vlerësoi faktin se prania e përfaqësuesve të shërbimeve të Kuvendit, tregon më së miri që Kuvendi e merr seriozisht angazhimin që ka për të forcuar më tej punën e zyrave përfaqësuese në terren.

“Mbështetja e OSBE është një dëshmi e vendosmërisë afatgjatë për të krijuar mes qytetarëve dhe institucioneve të tyre një marrëdhënie më aktive dhe të shëndetshme”, shtoi ai.

Sipas tij, qëllimi i përbashkët, gjithmonë ka qenë forcimi i një demokracie parlamentare të shëndetshme, si bazë të demokracisë në Shqipëri, rritjen e pjesëmarrjes së publikut në procesin ligjbërës dhe forcimin e besimit tek publiku.

“Një parlament që funksionon në mënyrë transparente, të aksesueshme, llogaridhënëse dhe reaguese është më efikas dhe gëzon besimin e popullit të vet”, vazhdoi më tej Berton.

Ai inkurajoi gjithë stafin dhe specialistët e zyrave të punojnë së bashku dhe të krijojnë ura komunikimi me njëri-tjetrin dhe me aktorët vendorë, siç janë të rinjtë, shoqëria civile dhe përfaqësues të komunitetit, të cilët mund të jenë të dobishëm për punën e përbashkët të deputetëve që mbështeten si nga mazhoranca, dhe nga opozita në zonat që ata përfaqësojnë.

Ekipet e OSBE dhe shërbimet e Kuvendit po punojnë ngushtësisht dhe janë në koordinim të vazhdueshëm për organizimin e përbashkët të veprimtarive të ndryshme në rajonet ku Kuvendi ka hapur zyrat zgjedhore dhe mbështesin deputetët në gjithë vendin.