Bordi i Akreditimit i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë akrediton Universitetin e Tiranës me akreditim maksimal 6 vite..
Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha tha se “akreditimi i UT-së ishte një proces gjithëpërfshirës, i cili tregoi vlerat dhe përkushtimin e gjithsecilit prej jush. Ky moment vjen natyrshëm si certifikimi i punës së palodhur e të përkushtuar të personelit akademik, ndihmësakademik, administrativ, studentëve, bashkëpunëtorëve të Universitetit të Tiranës dhe të gjithë atyre ish-studentëve tanë që me arritjet e tyre janë mbështetje solide e një alumni që do të bënte krenar çdo IAL”.
Sipas tij, Universiteti i Tiranës ofron mendim shkencor bashkëkohor, zgjidhje funksionale e inovative, frymë bashkëpunimi duke u bërë faktor i rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.
Rektori Hoxha falënderoi të gjithë për kontributin që kanë dhënë për Universitetin e Tiranës.
“Në veçanti falënderoj të gjithë ata që u përfshinë në grupet e vlerësimit të brendshëm dhe drejtuesit e çdo njësie, që me punën e tyre voluminoze e cilësore evidentuan dhe pasqyruan arritjet, vlerat dhe potencialin që Universiteti i Tiranës ka si një universitet lider dhe qendër e rëndësishme ekselence me rëndësi kombëtare dhe rajonale”, theksoi Hoxha.
Rektori Hoxha u shpreh se “Universiteti i Tiranës është përfshirë në një proces zhvillimi, modernizimi të programeve të studimit, ofrimit të diploma dyfishe, në gjuhë të huaj me disa nga universitetet më të rëndësishme në Evropë, kërkimit shkencor dhe inovacionit me qëllim përballimin e sfidave që Arsimi i Lartë dhe shoqëria shqiptare ka në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Evropian”.



























