Pasditen e 5 Tetorit 2021, në lagjen 18 në Durrës, qytetarit Islam Saka i kanë vjedhur motorin përpara dyqanit të tij. Por, ai ka gjetur vetë hajdutin pasi hapi kamerat e sigurisë. Në pamjet e kamerave të sigurisë, që ka siguruar “Stop”, duket qartë skema e vjedhjes deri në detaje. Hajduti i motorit, Korrado Mile, pasi zbret nga një triçikël i afrohet biznesit përballë motorit dhe pasi e ruan për disa minuta, i hipën dhe i jep gaz.
Islam Haka bëri kërkimet e tij në Kavajë, Elbasan,Nishtulla, Fushë-Krujë e Tiranë. Më pas u ndal në Mëzez, tek lagjia e romëve, ku i gjen shtëpinë hajdutit të motorit Korrado Mile. E mbajti Korradon aty, duke njoftuar disa herë sallën operative të policisë.
Duke folur për emisionin Stop në Tv Klan, Islam Saka tregon se si arriti ta gjente hajdutin e motorit, si veproi policia dhe cila është problematika.
Islam Saka: Në orën 16:20 më vidhet motori. I hipën motorit ai zotëria dhe e shtyn me këmbë se çelësa nuk kishte. Kaloi nga këtu iku drejt. Motorin e kisha blerë 2 milionë Lekë. Njoftoj policinë. Punonjësi i policisë erdhi, qëndroi në dispozicion, qëndruam 3 orë, u detyrova hapa kamerat direkt , edhe më doli një çeçen, një hajdut specialist, një fytyrë e bukur. Ky duhet të jetë afgan, tha. Ishte me dikë tjetër, zbriti nga një triçikël këtu ai. Ja çova pamjet policisë dhe të nesërmen deri sa e kam gjetur s’kam lënë Kavajë, Elbasan, Nishtulla, Fushë-Krujë deri sa e gjeta. Policia nuk pyeti. Korrado Mile quhej ky. E kapa për krahu. 5 herë nuk më ndihmoi fare salla operative në Tiranë, nisëm një patrullë, erdhi, prit edhe gjysmë ore thanë se ne jemi duke shkuar diku tjetër, po njofto sallën prapë ti, tha. Kur shkova në Komisariatin Nr.6 aty ishte djalë fisnik, Herman Haka, e falenderoj sepse m’u gjend dhe më qetësoi. Ik e qetë, tha, sepse ne do e kapim.
Forcat e Komisariatit Nr.6 të Tiranës e kapën Korrado Milen dhe e transferuan te Policia e Durrësit, aty ku ka ndodhur edhe vepra penale.
OPGJ Herman Haka-Përshëndetje! Si je? Kur ka shku në lagje Islami, atje i ka gjet adresën atij zotërisë. Pastaj ka ardh aty në komisariat, ka thënë situatën si ka ndodh në Durrës, sipas pamjeve, që ka. Pastaj shpallëm atë, autorin ne. E morëm, e arrestum autorin dhe ia nisëm për llogari Durrësit.
Por këtu ndodh edhe e papritura.
Islam Saka: Shkoj në mëngjes unë, i hyj shefit të krimeve dhe oficeres, atë e prunë tha por ne e kemi lëshuar. Motorin 2 milionë Lekë e ka shitur 60 mijë Lekë. Nuk e mban mend ai.
Pra, Policia e Durrësit e mbajti të ndaluar disa orë hajdutin e motorit dhe më vonë e la të lirë. Pronari i motorit thotë se Korrado e ka shitur motorin por nuk e mban mend kujt ia ka shitur.
Gazetarja e emisionit Stop bisedoi me SPZ-në e zonës dhe me OPGJ-në Jona Angjeli, por që të dy refuzuan të komentonin.
Specialisti i zonës: Interesohu në komisariatin e policisë! Ke zëdhënësen aty! Mirupafshim, zonjë!
OPGJ Jona Angjeli: Materialet ia dërguam Prokurorisë. Drejtohu zëdhënëses së komisariatit!
Në kushte të tilla, gazetarja e Stop bisedoi me shefin e krimeve dhe kreun e Policisë së Durrësit, të cilët shpjeguan se Korrado Mile u lirua për shkak se nuk ishte kapur në flagrancë, pasi vjedhja e motorit kishte ndodhur një javë më parë.
“Ka një procedim penal në ndjekje. Më vonë ky person është kapur në Komisariatin Nr.6, janë bërë veprimet paraprake, është pyetur personi. Në komunikim me prokurorin është referuar materiali në Prokurori sepse nuk kanë qenë kushtet për ndalim pasi do bëhet një masë sigurie në gjykatë. Kështu e parashikon ligji në këto raste sepse nuk jemi në kushtet e flagrancës”.
“Arrestim quhet kur je në kushtet e flagrancës brenda 24-orëshit. Ndërsa për momentin ka pasur mbi 1 javë që ka ndodhur si vepër penale. Ndalimi me iniciativë parashikon të tjera kushte ligjore për ta ndaluar. Ndalimi me iniciativë bëhet kur duhet ta ketë mbi 4 vjet marzhin e dënimit”.
Ndërkohë, pronari i motorit, Islam Saka e konsideron të papranueshme që e gjeti vetë hajdutin dhe policia e la të lirë. /tvklan.al

























